Zëdhënësit e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Mile Boshnjakovski dhe Muhamet Hoxha, mbajtën një konferencë të përbashkët për media, në të cilën informuan për detajet teknike në prag të vizitës në Shkup të udhëheqësit të Kishës Katolike, Papa Françeskut, raporton Anadolu Agency (AA).
Boshnajkovski, duke rikujtuar se vizita është caktuar më 7 maj, theksoi se vizita në vendlindjen e Shën Nënës Terezë ka simbolikë të veçantë.
Boshnjakovski u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që janë të interesuar që të marrin pjesë në Meshën e Shenjtë, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, deri më 3 maj të furnizohen me biletat falas që jepen nga Kisha Katolike në Maqedoninë e Veriut.
“Në pjesën qendrore të qytetit të Shkupit apo pjesa e quajtur ‘Unaza e Madhe’, të martën më 7 maj, nga ora 06:00 deri në ora 19:00 do të ketë ndalesë dhe kufizim të komunikacionit dhe i njëjti do të ridrejtohet në rrugët tjera në Shkup”, tha Boshnjakovski.
Ai gjithashtu u bëri apel qytetarëve të Shkupit që më 7 maj të shfrytëzojnë autobusët e transportit publik, pasi njoftoi se atë ditë transporti publik do të jetë falas.
Ndërkaq, Hoxha njoftoi për vendimet e marra në mbledhjen e 132-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e fundit miratoi Propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke të patentë shoferëve”, tha Hoxha, duke sqaruar se në bazë të Rregullores së Kuvendit, marrëveshja duhet të miratohet edhe në Kuvend.
Gjithashtu, Hoxha njoftoi se qeveria ka dhënë mendim negativ për Raportin vjetor të punës së Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi (KMD) për vitin 2018.
Në konferencën për media gjithashtu u tha se Qeveria po bisedon me punëdhënësit me qëllim që nga muaji korrik rroga minimale në Maqedoninë e Veriut të jetë 13.000 denarë. Kjo, sipas zëdhënësve qeveritarë, do të jetë një stimul për rritjen e rrogave tjera në vend.