Behgjet Pacolli, ministri i Jashtëm në dorëheqje, ka thënë se një gjykatë në Maqedoninë e Veriut ka vendosur për paraburgimin e Tomor Morinës, ish-ushtar i UÇK-së, që ditë më parë u arrestua në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia.
Ai i ka bërë thirrje Shkupit që të veprojë sikur të gjitha vendet tjera në Evropë për të hedhur poshtë urdhërarrestet e tilla të lëshuara nga Beogradi.
“Përkundër faktit që ne kemi vazhduar angazhimin me autoritetet e Shkupit për të siguruar lirimin e Timor Morinës, kjo ende nuk ka ndodhur. Më vjen keq që gjykata e Maqedonisë veriore ka dhënë një urdhër për para-burgim për z. Morina bazuar në një urdhër arresti politik të lëshuar nga Serbia. Ne do të vazhdojmë të punojmë për lirimin e tij dhe t’i bëjmë thirrje Shkupit të veprojë si të gjitha vendet në Evropë që i kanë hedhur poshtë këto urdhra politik për arest të lëshuar nga Beogradi”, ka shkruar ai në Facebook.
Pacolli ka shtuar se Kosova e konsideron vijë të kuqe ekstradimin e ndonjë qytetari të saj bazuar në fletarrestet e lëshuara nga Serbia.
“Për një gjë jam i sigurt, që ne nuk do të lejojmë ekstradimin e asnjë qytetari tanë bazuar në fletarrestet e lëshuara nga Beogradi. Kjo është vijë e kuqe për Kosovën”, ka deklaruar më tej ai.