Berati do të mirëpresë në datat 6-7 prill edicionin e dytë të Maratonës së Gjelbër, një event i veçantë që ndërthur atletikën dhe natyrën.
Me një angazhim të fortë për ruajtjen e mjedisit, “Maratona e Gjelbër” do të tërheqë atletë dhe entuziastë të natyrës nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë.
Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha sot për ATSH-në se në këtë maratonë do të marrin pjesë 300 pjesëmarrës nga 40 shtete, të cilët më shumë se asnjëherë na bëjnë krenarë të njohin nga afër mikpritjen beratase”.
“Kampionia e atletikës Luiza Gega do të jetë përsëri pjesëmarrëse edhe këtë edicion të dytë, duke parë suksesin e jashtëzakonshëm të kësaj maratone”, tha Merdani.
Gjatë maratonës do të zhvillohen edhe aktivitete te ndryshme si “Pasta fest”, si dhe koncerte me këngëtarë të mirënjohur shqiptarë.
Merdani i bën apel qytetarëve të vizitojnë Beratin fundjavën e parë të prillit.
“Ajo që vlen të theksohet është se hotelet e bujtinat janë që tani të rezervuara, prandaj nëse qytetarët ende nuk kanë rezervuar të nxitojnë, që të mos humbasin këtë fundjavë plot aktivitete në Berat”, shtoi ajo.
Pjesë e maratonës janë dy itinerare, një prej 10 km dhe një tjetër prej 21 km, ku të dyja do të ofrojnë një eksperiencë të paharrueshme të eksplorimit të shtigjeve befasuese të Beratit.
Në itinerarin e parë prej 10 km do të ndahen tre çmime, ku vendi i parë do të marrë 500 euro, i dyti 300 euro dhe i treti 200 euro. Ndërsa në itinerarin prej 21 km vendi i parë do të vlerësohet me 800 euro, i dyti me 500 euro dhe i treti me 300 euro.
Vitin e kaluar në “Maratonën e Gjelbër” morën pjesë rreth 150 pjesëmarrës nga 15 vende të ndryshme të botës./atsh