Real Madridit do t’i mungojë mbrojtësi anësor, Marcelo, në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve kundër Chelseat javën e ardhshme, nëse klubi nuk e arsyeton mungesën e tij nga puna në zgjedhjet lokale në Madrid.
Sipas mediave spanjolle, Marcelo nuk do të jetë në gjendje të udhëtojë me bashkëlojtarët e vet drejt Londrës, sepse është thirrur të punojë si monitorues i zgjedhjeve në një qendër votimi në Madrid, një ditë para ndeshjes, transmeton Gazeta Express.
Raportohet se Real Madridi është ankuar dhe është duke punuar me autoritetet elektorale në Madrid për ta liruar brazilianin.
Siç qëndrojnë gjërat, Marcelo detyrohet të punojë në ditën e zgjedhjeve lokale.
Zgjedhjet për kuvend të Madridit do të mbahen të martën më 4 maj, ditën kur Madridi udhëton drejt Londrës dhe një ditë para ndeshjes.
Bordi Elektoral në Madrid ka argumentuar se Marcelo mund të udhëtojë drejt Londrës ditën e ndeshjes, por kjo gjë është e koklavitur për shkak të masave të pandemisë së koronavirusit.
Marcelo luajti titullar në barazimin e Real Madridit 1:1 me Chelsean në ndeshjen e parë gjysmëfinale të martën.
Trajneri Zinedine Zidane ka nevojë për shërbimet e tij, veçanërisht tani që Ferland Mendy është i lënduar.