Maria Butina, e cila është dënuar me 18 muaj burgim për mosregjistrim si agjente për Qeverinë ruse derisa ka qenë duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara, ka thënë gjatë një interviste nga burgu se beson që të dhënat e saj kanë qenë “të rëndësishme” për zyrtarët rusë.
Butina, që ka pranuar se ka mbledhur informacione nga Asociacioni Kombëtar i Pushkëve dhe grupe tjera, nën drejtimin e ish-ligjvënësit rus, Aleksandr Torshin, ka pranuar që të flasë në një intervistë për Radion Kombëtare Publike.
Butina e ka pranuar gjatë intervistës se ajo e ka ditur që informacioni që ka mbledhur, i ka shkuar ministrisë për Punë të Jashtme të Rusisë, dhe ka thënë se ajo ka qenë e nderuar që ka ndihmuar në atë proces.
“Unë kam thënë se jam nderuar sepse unë jam grua e re dhe në ministri ka pasur njerëz që kanë konsideruar të dhënat e mia si të rëndësishme”, ka thënë Butina.
Butina, 30-vjeçare është dënuar në muajin prill me 18 muaj burgim pasi është shpallur fajtore në akuzat për komplot dhe për të vepruarit si agjente e huaj e paregjistruar.
Butina ka shkelur ligjin amerikan sepse nuk ka raportuar aktivitetet e saj në Qeverinë amerikane dhe ka qenë e arrestuar nga muajin korrik i vitit të kaluar.
Ajo do të dëbohet në Rusi menjëherë pasi të përfundojë dënimin.