Nëntë korriku nuk ishte vetëm një ditë tjetër në kalendar. As 25-vjetori i themelimit të bendit “Marigona” nuk shënoi vetëm një përvjetor.
Ishte më shumë se kaq: kthim në kohë. Një rrugëtim i veçantë për ata që janë rritur me këngët e bendit mitrovicas. Secili varg, secila melodi shërbeu si makinë kthimi në rini a fëmijëri, shkruan sot “Koha Ditore”.
Adhuruesit e “Marigonës” u mblodhën në një vend për t’u bërë pjesë e një nate të paharrueshme – sidomos për ata që për herë të parë patën rastin të dëgjojnë bendin e tyre të preferuar tek përformoi live në një ambient të hapur.
Skena gjigante që ndriçonte nga reflektorët, dy ekranet e mëdhenj të vendosur në dy anët jashtë skenës, e kamera që sillej mbi kokat e të pranishmëve, shoqëruan çdo moment të koncertit. Oborri i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës qe nikoqir i kësaj mbrëmjeje, ku u shpalosën vlera kulturore dhe një pjesë e rëndësishme e muzikës që ishte krijuar në Kosovë gjatë viteve ’90.
Para pesë vitesh ishte hera e fundit kur “Marigona” u ngjit në skenë për të kënduar. E muzikën, bendi e ka lënë para shumë vitesh. Repertori i tyre përbëhet nga këngë që ata i kanë shkruar që nga viti 1991 e që përthekohen në dy albume: “O lopt e mia” dhe “Sonte”.
Edhe pse ka kohë që nuk kanë bërë këngë të re, të shtunën mbrëma u dëshmua se publiku i kujton të gjitha këngët. Të gjithë kënduan bashkë me bendin. Nuk mungoi as vallëzimi.
E kënga e parë “Luj çiko, luj” sikur shërbeu si thirrje që publiku t’i bashkohet festës. Në tekstin paralajmërues për koncertin e “Marigonës”, vokalisti i bendit Vullnet Sefaja ngjitjen në skenë pas së paku pesë vitesh e kishte përshkruar me fjalën “tremë”.
Këtë e tregoi edhe gjatë koncertit. Kur këndoi këngën e dytë “Do të vij në mëngjes” ai iu drejtua audiencës me fjalët: “Kam menduar se pas këngës së parë do të më kaloj trema. Por jo”. Emocionet e tij ishin të qarta, por të gërshetuara me krenari e falënderim ndaj publikut, i cili e bëri atë të ndihet mirë dhe të shijojë secilin moment.
Si shpërblim erdhi kënga e radhës, e cila njëherësh është një prej hiteve më të mëdha të bendit: “Më plase”. Kjo ishte vetëm një prej hiteve të bendit.
“Marigona” nuk la pa kënduar edhe “Si cigare”, “Tash shko”, “Nëse më afrohesh”, “Ajshe” (një prej këngëve të para të bendit), “Ani nasht”, më pas edhe këngët “Fundi vjen”, me të cilën bashkëpunuan me Nora Istrefin dhe “Në mes nesh” me Anjeza Shahinin. (Koha Ditore).