Sfidat dhe të arriturat në sektorin e qumështit ishin tema të diskutimit në takimin që sot Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi pati me drejtuesit e Shoqatës së Industrisë së Qumështoreve të Kosovës.
Ministri Krasniqi përmendi zhvillimet e deritanishme në këtë sektor, me theks të veçantë në mbështetjen që MBPZHR-ja ka dhënë për këto vite për qumështin, qoftë në prodhim ashtu edhe në përpunim. Krasniqi theksoi se ky është një prej sektorëve më të mbështetur në bujqësi nga programet e ministrisë dhe shtoi se kjo mbështetje do të vazhdojë. Ministri Krasniqi vlerësoi në veçanti lansimin në treg të qumështit të freskët, sidomos shtimin e prodhimit dhe konsumin e këtij produkti. Ministri shtoi se do të ketë koordinim të vazhdueshëm që ky produkt të jetë sa më prezent në tregjet tona dhe i kërkuar nga konsumatori.
Ai po ashtu theksoi se është i vetëdijshëm për sfidat që përballen përpunuesit dhe prodhuesit të qumështit edhe sa i përket importit të shumë produkteve të qumështit, por edhe çështjeve të tjera, dhe potencoi se do të vazhdojë puna që prodhuesit vendorë të jenë të barabartë në treg, të kenë mbështetje më të madhe në promovimin e prodhimeve vendore, gjithnjë duke respektuar rregullat e ekonomisë së lirë të tregut.
Nga ana tjetër, kryetari i shoqatës, Gani Durmishaj falënderoi ministrin për përkrahjen dhe foli për organizimin dhe punën që po bëjnë si shoqatë në promovimin e produkteve të qumështit nga prodhuesit vendorë. Në veçanti ai përmendi si sfidë mënyrën e prezantimit dhe trajtimit të prodhimeve vendore nga ana e rrjeteve të marketeve në Kosovë, për çka tha se po ju sjellë probleme. Ministri Krasniqi shprehi përkrahje në këtë shqetësim të tyre dhe theksoi se rrjetet e marketeve duhet të trajtojnë në mënyrë korrekte dhe të barabartë prodhuesin vendorë.
Ministri Krasniqi dhe drejtuesit e shoqatës u pajtuan që të jenë në koordinim të vazhdueshëm me qëllim të avancimit të këtij sektori.