Maroku mori barazim të madh, 1:1, me Brazilin në Kupën e Botës në futboll. Madje në pjesën e parë marokenët ishin dukshëm më të mirë.
Por vetëm njëri prej lojtarëve që startuan te Maroku është i lindur në territorin e këtij shteti. Është raportuar se është hera e parë në histori të Kupës së Botës që një përfaqësuese ka aktivizuar në njëmbëdhjetëshen e parë të gjithë lojtarë të lindur jashtë vendit, pos njërit.
Kjo dëshmon se sa e varur është superfuqia afrikane nga lojtarët e lindur në vende të tjera, por edhe politikën shumë të suksesshme të federatës marokene për të afruar lojtarë të diasporës.
Azzedine Ounahi është lojtari i lindur në Marok që startoi ndaj Brazilit në natën mes të shtunës e të dielës.
Portieri Yassine Bounou është i lindur në Kanada. Mbrojtësit Achraf Hakimi dhe Chadi Riad janë të lindur në Spanjë.
Mbrojtësi i qendrës, Issa Diop është i lindur në Francë, ndërsa mbrojtësi tjetër, Noussair Mazraoui në Holandë.
“Shtrirja” e Marokut është edhe më e gjerë.
Mesfushorët Ayyoub Bouaddi dhe Neil El-Aynaoui janë të lindur në Francë. Ndërkohë Bilal El Khannouss është i lindur në Belgjikë.
Në Spanjë është i lindur edhe Ismael Saibari, që shënoi supergol për epërsi 1:0 ndaj Brazilit.
Ylli tjetër maroken, Brahim Diaz, është i lindur në Malaga të Spanjës.
Edhe te zëvendësuesit dominojnë lojtarët e lindur jashtë Marokut.
Samir El Mourabet është i lindur në Francë. Chemsdine Talbi në Belgjikë, Ayoube Amaimouni në Spanjë, Anass Salah-Eddine në Holandë dhe Soufiane Rahimi më Marok.
Zbutja e rregullave të FIFA-s në vitet e fundit kanë mundësuar që lojtarët të zgjedhin përfaqësuesen e vendit të prejardhje. Maroku ka përfituar thuajse më së shumti prej kësaj.
Në vende si Franca, por edhe në Spanjë e disa vende të tjera evropiane, komuniteti maroken është shumë i madh. Dhe numri i fëmijëve që merren me futboll është i madh po ashtu.
Tashmë ka raste kur lojtarët me prejardhje marokene e zgjedhin Marokun edhe para Francës. Maroku është në momentin më të mirë në histori. Natyrisht, falë lojtarët që janë të lindur dhe të zhvilluar në vende evropiane.
