Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim anëtarin e Këshillit Bashkiak të New Yorkut, Mark Gjonaj, dhe delegacionin shqiptaro-amerikan. Haradinaj tha se bashkë me Gjonaj, kanë biseduar për shume tema të cilat janë në interes të shqiptarëve, raporton Ekonomia Online.
“Unë e kam nderin me nderu Mark Gjonaj me dekoratën e Gjergj Kastriotit, motivacioni është lartësimi i vlerave kombëtare. Mark Gjonaj është i zgjedhur i popullit në New York. Kemi bisedua shumë tema, prej shqetësimeve të punëve në Kosovë, e kemi edhe një situatë festive, me 3 mars votojnë shqiptarët e Tuzit, i ftojmë të gjithë shqiptarët me votu. Ne ende shqiptarët në Ballkan kemi nevojë për njerëzit tanë në Amerikë që me vazhduar me qëndruar bashkë”, u shpreh Haradinaj.
Anëtari i Këshillit Bashkiak të New Yorkut, Mark Gjonaj, tha se është i nderuar që është në Kosovë, në kremtimin e 11-vjetorit të Pavarësisë së vendit.
“Është nder për mua që sot jemi në Kosovë dhe në vigjilje të 11 vjetorit të pavarësisë së vendit. Është nder i madh që jam këtu, pasioni dhe emocionet që kisha kur eca në sheshet e Prishtinës, dhe të jesh në mes të këtyre njerëzve është diçka që do e kujtoj shumë vjet”, tha Gjonaj.
Ai shtoi se me Haradinajn, kanë biseduar edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas Gjonajt, dialogu do të normalizoi marrëdhënies e shteteve, përderisa tha se me ShBA-në, raportet janë të forta.
“Ne biseduam edhe për vazhdimin e dialogut sepse është në interes të Kosovës, kjo ndihmon në ndërtimin e të ardhmen për të gjithë shqiptarët në botë. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-së, janë të forta dhe gjithmonë do të jenë. Kosova është vend i pavarur dhe po vepron si i tillë”, shtoi Gjonaj.
Anëtari i Këshillit Bashkiak të New Yourkut, ka bërë të ditur se nuk është në Kosovë, me mision nga ShBA-ja për heqje të taksës.
“Jo unë jam këtu si delegacion, jam këtu për të festuar për Kosovën në 11 vjetorin e saj”, tha Gjonaj.