Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në syrin e një historiani

Prishtinë | 25 Shk 2019 | 11:47 | Nga Ekonomia Online

Marrëdhëniet shqiptaro-kineze kanë qenë në fokus të studimeve të ndryshme me karakter politik, diplomatik, ekonomik, apo kulturor. Doktori i shkencave historike, Gjon Boriçi i trajton ato gjerësisht në librin “Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në Luftën e ftohtë 1956-1978” .

CMG: Libri juaj ka ngjallur interesimin e veçantë jo vetëm të studjuesve, por edhe të medias në Shqipëri. Çfarë gjen lexuesi në këtë libër?

Gjon Boriçi: Libri e ka zanafillën 8 vjet më parë, kur më lindi ideja për të patur një studim për marrëdhëniet shqiptaro-kineze, ndërsa lexova një libër të Henry Kisinger për Kinën. Shqipëria ka patur me Kinën një marrëdhënie mjaft interesante dhe të gjerë dhe gjithashtu mjaft të ngushtë në periudhën e Luftës së ftohtë. Ndaj mendova të bëja një studim akademik. Kështu ideja u formësua në Institutin e Historisë ku unë punoj dhe u bë dhe titulli im shkencor.

CMG: Kina sot në arenën ndërkombëtare prezantohet me nismën “Një brez, një rrugë”, e shpallur nga presidenti Xi Jinping në vitin 2013. Ju si e vlerësoni këtë nismë, parë dhe në aspektin e globalizimit perëndimor?

Gjon Boriçi: Nisma “Një brez. Një rrugë”, iniciuar nga presidenti Xi Jinping në vitin 2013 në Kazakistan ngjalli shumë kërshëri. Unë personalisht nuk kisha më parë njohuri mbi këtë nismë, por gjatë programit studimor “China Studies”, ku isha zgjedhur të merrja pjesë me 27 studjues të tjerë nga e gjithë bota mesova jashtëzakonisht shumë në Ministrinë e Kulturës së Kinës si dhe në Akademinë e Shkencave Shoqërore të Pekinit, ku qëndrova 1 muaj në vitin 2017. Në departamentet përkatëse diskutuam gjerë e gjatë ku edhe mora një informacion të madh përsa i përket kësaj nisme. Prandaj më lindi ideja për një studim krahasues, një artikull shkencor , që është botuar në rajon dhe në Evropë, lidhur me një përpjekje për të krahasuar të përbashkëtat dhe të kundërtat e globalizimit perëndimor dhe iniciativës “Një brez, një rrugë”. Në këtë krahasim kuptojmë se globalizimi perëdimor është më i hershëm, sepse Evropa pati një evolucion të jashtëzakonshëm me revolucionin industrial në fillimet e shekullit të 19-të, si dhe një hov të pandalshëm ekonomik, kulturor. Kurse iniciativa e Kinës “Një brez, një rrugë” do të përfshijë 4.6 miliard njerëz me një investim prej disa trilion dollarësh.

Gjatë studimit të nismës në Pekin kuptova se kemi të bëjmë me një rivitalizim të Rrugës së Mëndafshit që lidhte në mënyrë të pashmangshme rrugët tregtare mes Evropës dhe Azisë. Ndërkohë globalizimi dhe “Një brez, një rrugë” janë risi që i përkasin dy kulturave të ndryshme, por në thelb kanë përparimin e njerëzimit. Nuk dua ta shikoj si një garë, por si një bashkëpunim midis dy kulturave dhe dy traditave, për të shmangur idenë e dikurshme të studjuesit Samuel Hungington “përplasje qytetërimesh”. Qytetërimet duhet të bashkëpunojnë .

CMG: Ju keni vizituar Kinën kohët e fundit. Cili ishte qëllimi i vizitës suaj? Ndonëse me titull doktor shkencash, por i ri në moshë, a keni në plan ndonjë studim tjetër për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës?

Gjon Boriçi: Kam dëshirë të thellohem në marrëdhëniet shqiptaro-kineze . Unë kam lindur në Tiranë në gjysmën e dytë të viteve 70-të , pikërisht atëhere kur fatkeqësisht filloi rënia e marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Ndaj brezi im, që i ka kaluar të 40-at sigurisht që do të dijë më shumë rreth tyre. Vizita ime në Kinë u krye në kuadër të programit studimor “China Studies”, i shërbeu dëshirës sime për ta njohur Kinën më nga afër.

U befasova jashtëzakonisht shumë më arritjet e shkëlqyera që i kishim parë vetëm në televizor , por është krejt tjetër t’i shohësh ato drejtpërdrejt. Kam bërë disa artikuj studimorë, por nuk jam një shkrues i rregullt i shtypit të përditshëm. Kam shkruar dhe për teorinë e “3 botëve” sipas këndvështrimit kinez dhe atij shqiptar në gjysmën e parë të viteve 70-të. Gjithashtu kam shkruar për ndihmën dhe kreditë që Kina ka sjellë në Shqipëri . Ndërsa tani kam në dorë një studim, si e kanë transmetuar Kinën diplomatët shqiptarë që kanë shërbyer në këtë vend, për udhëheqjen politike shqiptare të atyre viteve.

Në Akademinë e Studimeve Shoqërore të Pekinit prezantova një studim që i kushtohet nismës “Një brez, një rrugë”. Duke qenë se jam anëtar i Bibliotekës Kombëtare të Kinës, informacionet që gjeta, hulumtimet e qindra faqeve të literaturës më të fundit mund t’ju them se kjo nismë është një vijim i traditës më të mirë kineze e gërshetuar me modernizimin . Kina nuk është thjesht një shtet, por është një kontinent brenda një kontinenti, që i ka dhënë shumë botës dhe do t’i japë përsëri asaj.

Doktori i Shkencave Historike Gjon Boriçi është autor i 7 studimeve ndër to : “Marrëdhëniet ndërkombëtare në vorbullën e diplomacisë”, “Pushteti dhe lidershipi”, “Politika dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në shekujt e historisë”. Ai punon në Departamentin e Historisë Bashkëkohore pranë Institutit të Historisë në Tiranë/Eda Merepeza

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme