Marrëveshja e Komunës së Fushë-Kosovës me OJQ “Caritas Kosova” për “ngritjen e përkujdesjes sociale, shtëpiake dhe ambulatore Home-Care 2017” nuk është realizuar në përputhje me kërkesat dhe qëllimet e këtij projekti. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj vjetor për këtë Komunë ka vërejtur se Komuna ka transferuar buxhetin në tërësi dhe jo në dy këste siç ka qenë e planifikuar, duke bartur rreziqet e mosarritjes së objektivave.
“Kuvendi Komunal kishte marrë vendim për realizimin e projektit ‘Ngritja e përkujdesjes sociale, shtëpiake dhe ambulatore Home-Care 2017’ pasi që ky projekt nuk ishte i planifikuar me buxhet, shkruan sot Koha Ditore.
Në mars të 2017-s u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit në mes të organizatës joqeveritare (OJQ) dhe Komunës, në vlerë totale 240.000€. Bazuar në marrëveshje, Komuna participon vlerën 222.819€ ndërsa OJQ-ja në vlerë 17.181€”, thuhet në raportin për vitin 2017 të ZKA-së.