Presidenti i Amerikës Donald Trump e ka cilësuar si historike nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një adresim për media në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, Trump ka thënë se pas shumë vitesh negociata të dështuara mes Kosovës dhe Serbisë, administrata e tij ka propozuar një qasje të re.
“Kjo është me të vërtetë një ditë historike, ditë shumë e rëndësishme veçanërisht në një pjesë të bukur të botës. Jam shumë i kënaqur ta bëj të ditur një zotim me të vërtetë historik – Serbia dhe Kosova janë zotuar për normalizim të marrëdhënieve ekonomike që është një çështje shumë e rëndësishme për të cilën kam punuar”.
“Për shumë vite, dekada aktualisht, pas dhunës dhe historisë tragjike, si dhe disa viteve negociata të dështuara, administrata ime ka propozuar një mënyrë të re për të tejkaluar dallimet duke u fokusuar në krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike të dyja vendet e kanë arritur një përparim të madh, diçka që askush s’e ka menduar se mund të jetë e mundshme. Mendoj se do të funksionojë shumë mirë dhe do të punojmë bashkë me ta për bashkëpunimin ekonomik”.
“Mund të them se Serbia dhe Kosova kanë shumë qytetarë të vet në SHBA që i duan shumë vendet e tyre, prandaj është shumë mirë që kemi arritur ta kemi këtë marrëveshje”.
Presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë më vonë e ka postuar edhe një pjesë të shkëputur të këtij adresimi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.