Tregjet evropiane janë mbyllur në rritje në sesionin e sotëm, pas marrëveshjes së arritur mes Italisë dhe Bashkimit Evropian, mbi buxhetin e vitit 2019.
Megjithatë, investitorët janë treguar të kujdesshëm, pasi presin përfundimin e takimit të Rezervës Federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku parashikohet një rritje tjetër e normave të interesit.
Në një përpjekje për të shmangur “gjobat” kundër Italisë nga Bashkimi Evropian, kryeministri Giuseppe Conte fitoi një marrëveshje me udhëheqësit populistë për të paraqitur një propozim të buxhetit të rishikuar.
Matteo Salvini dhe Luigi Di Maio si dy deputet euroskeptikë të Contes, kanë shumicën e pushtetit politik në administratë dhe i kanë rezistuar gjatë përpjekjeve për të qetësuar Komisionin Evropian
Ditë më parë, Conte gjatë takimit me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker lidhur raundin e fundit të bisedimeve buxhetore, ka thënë se do ta zvogëloj objektivin e deficitit.
Ndërkohë, në Britaninë e Madhe, inflacioni ra në nivelin më të ulët në 20 muajt e fundit.
Edhe çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje, gjatë ditës së sotme, duke zgjeruar ndjeshëm fitimet në orët e pasdites, për shkak të rënies së rezervave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Referuar të dhënave zyrtare, rezervat e naftës ranë me 497 mijë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 17 dhjetor.