Marrëveshja që i davariti rrenat

Prishtinë | 28 Shk 2023 | 09:13 | Nga Afrim Kasolli

Dita e djeshme shënoi ceremoninë zyrtare për fundin e një ideje politike në Kosovë. Ndonëse marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk u nënshkrua, megjithatë palët treguan se janë pajtuar për përmbajtjen e saj. Dhe se me nuk do të ketë bisedime shtesë për nenet e këtij dokumenti.

Prandaj, edhe konferenca për shtyp e kryeministrit Kurti, përkundër buzëqeshjes cinike që e karakterizonte, në të vërtetë e kishte pamjen e një shfaqje funebre. Ndonëse nuk mund ta pranonte me gojën e tij atë për të cilën ishte pajtuar, megjithatë ai dje e dëshmoi shthurjen e palavdishme politike të projektit që ka manipuluar se e përfaqëson. Ai moment nuk ishte asgjë tjetër pos një çast i kobshëm, ku i pari i Vetëvendosjes e shpalosi zyrtarisht kumtin mortor të ideve me të cilat ka ardhur në pushtet. Ato tashmë nuk ekzistojnë. Ngase, janë vetëm një fantazmë, prapa të cilave ka mbetur një gërmadhë. Kurse me këtë marrëveshje bëhet fjalë vetëm se si të akomodohen edhe më shumë të drejtat e serbëve lokalë në Kosovë. Mirëpo, kur marrim parasysh varësinë e tyre nga Beogradi, atëherë në këtë mënyrë vetëm sa shtohen levat e pushtetit të këtij të fundit mbi territorin e Kosovës.

Për më shumë ky akt shënon edhe një shpërfillje ekstreme ndaj parimeve etike dhe morale. Ngase askund nuk flitet për kërkim falje nga Serbia dhe kërkesë për dënimin e krimeve të luftës. Shto këtu faktin që lufta e UÇK-se po hetohet ndërkombëtarisht për krime kundër njerëzimit.

Përgjithësisht, kjo formë e normalizimit ndërmjet dy vendeve shënon një prapakthim për Kosovën. Që në nenin e parë të saj dëshmohet se nuk ka njohje reciproke. Kurse neni i dytë është vetëm një lojë retorike. Ndërkohë, neni i gjashtë i saj flet për kthimin e personave të zhvendosur, kuptohet këtu është fjala për serbët, por nuk specifikohet dënimi i krimeve të luftës. Në nenin shtatë janë hedhur bazat për autonominë e serbëve lokalë. Me mundësi për ta tejkaluar Asociacionin. Ngase tashmë këtu flitet për vetëmenaxhim. Po ashtu në këtë nen kodifikohet autonomia e Kishës Ortodokse Serbe. Dhe këtu Kurti nuk mund të shfajësohet se këtë temë e ka trashëgim nga pushtetet e kaluara. Por, ajo është produkt i drejtpërdrejtë i negocimit të tij. Sepse, deri më sot kurrë në Bruksel nuk është biseduar për çështjet e kishës. Hera e fundit kur është diskutuar lidhur me këtë temë ka qenë në bisedimet e Vjenës, që u drejtuan nga Ahtisari. Pra rikthimi ndërkombëtar i kësaj agjende është meritë ekskluzive e kryeministrit.

Në nenin tetë pohet se palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Që i bie, se as që bëhet fjalë për misione diplomatike. Kurse në nenin 10 Kosova zotohet që ta zbatojë Asociacionin. Por pa e marrë në këmbim njohjen nga Serbia. Kurse kur kombinohet ky obligim me autonominë e Kishës, atë të vetë-menaxhimit të serbëve dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të tyre financiare nga Serbia, shihet qartë se cfarë pasoja do të ketë për Kosovën ky normalizim. Çështja e Luginës së Preshevës, respektimi i të drejtave të tyre njerëzore dhe kombëtare as që është adresuar fare. Përfundim ky, që Kurti është pajtuar se shqiptarët mund të vazhdojnë të jenë të diskriminuar si “nën qenie” njerëzore, kurse serbët të privilegjuar si “mbinjerëz”

E “mira” e këtij dakordimi është se me të më në fund u davarit mjegullnaja e rrenave mbi të drejtat kombëtare dhe historike që Kurti propagandonte se i mbronte. Mirëpo, mjerisht ky demaskim i kobshëm u bë në dëm të interesave strategjike të shtetit të Kosovës dhe pozicionit të shqiptarëve.

Të ngjashme