Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po diskutojnë mbi një marrëveshje të pjesshme tregtare që mund të vihet në zbatim më 1 nëntor, një ditë pasi Britanisë do t’i duhet të dalë nga Bashkimi Evropian. Kjo është bërë e ditur të martën nga një zyrtar i administratës Trump.
Zyrtari gjithashtu tha se në vizitën mes këshilltarit të sigurisë kombëtare të SHBA-së, John Bolton dhe ministres britanike e Tregtisë, Liz Truss ishte diskutuar edhe mundësia që udhëheqësit e dy vendeve të firmosnin një deklaratë që hap rrugën drejt një marrëveshje tregtare në takimin e këtij muaji për samitin e G7-së në Francë.
Zyrtari u tha gazetarëve se Bolton dhe ministri britanik i Financave, Sajid Javid kishin diskutuar mundësinë e një marrëveshje të përkohshme tregtare që do të mbulonte të gjithë sektorët dhe do të zgjaste për rreth 6 muaj.
Gjatë vizitës së tij dy ditore në Londër, Bolton i tha kryeministrit britanik Boris Johnson se presidenti Donald Trump do të donte të shihte një largim të suksesshëm të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian më 31 Tetor dhe se Washingtoni do të ishte i gatshëm që të niste sa më parë punën për një marrëveshje të lirë tregtare me Mbretërinë e Bashkuar.
Bolton i cili tashmë është larguar nga Britania e Madhe, po synon një përmirësim të marrëdhënieve mes dy shteteve me Johnson si kryeministër, pas marrëdhënieve të tensionuara mes Donald Trump dhe paraardhëses së Johnson, Theresa May.