Marrin fund telashet me pasaporta, nënshkruhet kontratë milionëshe me kompaninë gjermane

Prishtinë | 12 Dhj 2022 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Brendshme ka lidhur një kontratë të vlefshme katër milionë euro për furnizim me pasaporta, letërnjoftime dhe patentë-shoferë. 

Kompania gjermane “Veridos Gmbh” do të realizojë furnizimin emergjent me material me pasaporta, pasi shërbimi për lëshimin e pasaportave është ndërprerë rreth një muaj më parë si pasojë e mungesës së materialit.

Por, kolapsi në sistemin e pasaportave ka marrë fund të hënën.

Ministria e Punëve të Brendshme ka lidhur një kontratë publike, me procedurë emergjente, për furnizimin me material për pasaporta, leternjoftime dhe patentë-shoferë.

Kontrata e lidhur mes MPB-së dhe kompanisë gjermane “Veridos Gmbh” vlen katër milionë euro, raporton Paparaci.

Problemet për furnizim me këto dokumente, ministri Xhelal Sveçla i kishte lidhur me luftën në Ukrainë.

“Situata e krijuar nga lufta Rusi-Ukrainë dhe sanksionet që pësuan pastaj kanë ekspozu dobësitë ndaj sigurisë së furnizimit me lëndë të para kritike për prodhimin industrial,duke afektuar rëndë tregjet globale. Çrregullimi me lëndë të parë ka implikuar ekonomitë botërore, duke shkaktuar shqetësim global te të gjitha kompanitë ndërkombëtare, të cilat po dështojnë në përmbushjen e kërkesat për një gamë të madhe mallrash”, ksihte thënë Sveçla.

Tenderi i rregullt për furnizim me material për pasaporta është hapur në prillin e këtij viti. Deri tani nuk ka arritur të finalizohet.

Në nëntor të këtij viti, tenderi ishte anuluar me arsyetimin se asnjëra nga kompanitë që ka aplikuar në tender nuk është e përgjegjshme.

Ky vendim është ankimuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, por ende nuk ka përfunduar afati ligjor i këtij institucioni për trajtimin e rastit.

Të ngjashme