Marrja e huave nga Qeveria e Kosovës po konsiderohet pozitive nga ekspertët e ekonomisë, mirëpo ata theksojnë se këto mjete duhet të shfrytëzohen për projekte kapitale, përndryshe qytetarët do t’i vuajnë pasojat, raporton Ekonomia Online.
Në një prononcim për Ekonomia Online, njohës i çështjeve ekonomike, Bardh Ahmeti, tha se nëse realizohet Pakoja e Ringjalljes Ekonmike, situata ekonomike do të jetë e favorshme.
“Rishikimi i buxhetit është një procedurë standarde që aplikohet nga institucionet për të bërë ndryshimet para përfundimit të vitit fiskal. Aty ku ka pasur ngecje të implementimit të projekteve dhe aty ku ka hapësirë për projektet e reja. Këtë vit është i rëndësisë së veçantë rishikimi i buxhetit për arsye të akomodimit të pakos së ringjalljes ekonomike të Qeverisë së Kosovës për ndikimin direkt në ekonominë e vendit për të luftuar pasojat të cilat i ka shkaktuar pandemia në ekonominë e vendit. Duke analizuar situatën ekonomike në të cilën ndodhemi dhe duke lexuar parametrat e performancës së Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës së Kosovës si burime kryesore të të hyrave në buxhetin e Kosovës atëherë kuptojmë që gjendemi në një situatë shumë të favorshme ekonomike dhe ky trend do të na përcjellë edhe në vitin 2021 dhe përkundër krizës globale të pandemisë do të kemi terme pozitive siç ka qenë dekadën e fundit. Nëse arrin të realizohet pakoja e ringjalljes ekonomike ku ka instrumente konkrete të përkrahjes së sektorit privat atëherë si ndërhyrje fillestare janë të mjaftueshme prandaj presim nga institucionet të reflektojnë edhe programin qeveritar në buxhetin e vitit të ardhshëm”.
“Marrja e huave nëse arrin të shfrytëzohen për projekte kapitale që ndikojnë në fuqizimin ekonomisë, në të kundërtën nëse marrim borxhe të jashtme dhe nuk arrijmë të implementojmë projekte, atëherë është një ngarkesë për qytetarët”, tha Ahmeti.
Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike Mustafë Kadriaj tha se Qeveria duhet t’i përkrahë bizneset private, për të pasur një gjendje të qëndrueshme ekonmike.
“Qeveria Kurti nuk e ka pasur komoditetin që ta vendos një buxhet si duhet sepse ka qenë kohë jashtëzakonisht e shkurtër. Me rishikim të buxhetit Qeveria i orienton investimet duke marrë parasysh se pak nga pak po dalim nga pandemia. Dhe tash shohim që qeveria aktuale ka rishikuar buxhetin nga ana e vlerës. Qeveria duhet t’i japë prioritet zhvillimit ekonomik të vendit. Edhe kjo Qeveri ka vetëm fjalë dhe jo diçka konkrete sepse qe dy vjet ka ngecur ekonomia sidomos bizneset dhe Qeveria duhet t’i përkrahë financiarisht. Është shumë e rëndësishme përkrahja e biznesit privat. Nga ana e huas edhe Kosova e praktikon huan dhe është normale në ekonominë e tregut dhe duhet të orientohen për investime kapitale”, shtoi Kadriaj.
Ministri i Financave të Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë seancës plenare të javës së kaluar, paraqiti Projektligjin e buxhetit të rishikuar për vitin 2021.
Ai tha se me buxhetin e rishikuar për vitin 2021 shpenzimi do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.
“Ne si ministri kemi finalizuar përgatitjet për rishikim të buxhetit 2021 për t’u përgjigjur trendeve ekonomike që janë materializuar gjatë gjysmës së parë të këtij vit”, tha Murati
Nëpërmjet rishikimit të buxhetit për këtë vit Qeveria Kurti 2 ka thënë se synon mposhtjen e pandemisë dhe mbështetjen e sistemit shëndetësor për t’u përballur me këtë situatë.