“Mars 2023” dhe “më pak se një vit” për marrëveshjen Kosovë-Serbi, për çfarë afate flasin palët

Prishtinë | 07 Dhj 2022 | 13:12 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Serbia kohë pas kohe dakordohen në Bruksel për diçka, por publikisht përplasen për gjithçka që ka të bëjë me procesin e negociatave për normalizim. Pala kosovare është e bindur që e ka nxjerrë afatin nga Brukseli se kur duhet të arrihet marrëveshja, por emisari i BE’së për bisedimet nuk e sheh këtë si diçka strikte, e quan afat të butë. Një zyrtar i BE’së, në kushtet anonimiteti, dje për Reuters tha se presin që marrëveshja të arrihet në më pak se një vit kohë. Në anën tjetër, Serbia i kundërshton afatet.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ishte dje në Komisionin për Punë të Jashtme. Aty, ku u ftua të raportojë për dialogun Kosovë-Serbi, tha se “kemi arritur marrëveshje të mira” në këtë proces.

Me marrëveshjen e fundit të arritur në fund të nëntorit në Bruksel, Bislimi tha se kanë arritur ta marrin edhe një afat për përmbylljen e diskutimeve mbi planin franko-gjerman.

“Kërkesa ka qenë që diskutimet të kufizohen në kohë, në mënyrë që ato të mos zgjaten pastaj pa kufi dhe mendoj se me dakordimin e datës 23 nëntor e kemi arrtur këtë, për arsye se si pjesë e marrëveshjes është paraparë që bisedimet për propozimin franko-gjerman duhet të kufizohen deri në fund të marsit”, tha Bislimi.

Ndonëse emisari europian, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti nuk pohoi se ka afat për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve mbi planin e propozuar, kryenegociatori tha se këtë afat ua ka dhënë po diplomati sllovak natën e 23 nëntorit.

“Në fakt, në tekst nuk figuron data mars, mirëpo figuron takimi i grupit special për normalizim dhe pastaj ne e kemi pranuar këtë formulim vetëm në këmbim të një shkrese shtesë të z. Lajçak, ku ai e cakton afatin për normalizim, marsin 2023. D.m.th. ne e kemi marrë këtë siguri, e pastaj e kemi pranuar atë formulim”, tha Bislimi.

Afati u bë temë dje edhe nga zyrtarët e BE’së. Një prej tyre dje, në kushte anonimiteti i tha agjencisë së lajmeve Reuters se presin që marrëveshja të arrihet në më pak se një vit kohë nga tash. Pra nuk është përmendur marsi.
Për cështjen e afateve foli dje edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq i cili në Tiranë tha se nuk mund të ketë një kornizë kohore për bisedimet.

“Nuk mund të ketë, e dëgjuat Borellin sot. Është e paarsyeshme që të ketë një afat kohor. Të zgjidhim për tre muaj diçka që nuk kemi mundur ta zgjidhim për 100 vjet e më shumë. Dhe nëse nuk e zgjidhim brenda 3 muaj pastaj çfarë. Pastaj po i shkruajmë amendamente Shën Pjetrit që ai të shtyjë afatin edhe për tre muaj. Kjo është e pavlerë dhe e papërgjegjshme” ka theksuar ai.

Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borell që ishte po ashtu në Samitin e BE -Ballkani Perëndimor tha se është me rëndësi të punohet shpejt por jo të caktohet një datë.

“Jam shumë optimist. Nuk duhet të vendosim afate artificiale. Është koha që të nisim të punojmë. Nuk është e rëndësishme të caktojmë një datë, por të punojmë me shpejtësi. Është koha për të punuar”

Emisari Miroslav Lajcak ditë më parë ka përmendur si afat “të butë”

“Afatet e fundit, apo ultimatumet asnjëherë nuk funksionojnë, ose funksionojnë kundër jush, por ka diçka si një afat i butë, siç edhe e kemi njoftuar në dokumentin e adoptuar të mërkurën e kaluar, që qëllimi ynë është që t’i informojmë shtetet anëtare për rezultatet e grupit special për normalizim me Kosovën, dhe kapitulli tjetër 35, përditësim për Serbinë dhe të dy këto takime do të mbahen në pranverën e hershme të vitit të ardhshëm, pra mund ta merrni këtë si një afat kohor” ka thënë Lajcak.

Cfarë u tha dje deputetëve Kryenegociatori Bislimi për negociatat?

Zëvendësi i Kurtit konfirmoi se shefit të Qeverisë të martën në mëngjes iu dorëzua plani i përditësuar i propozuar nga Gjermania dhe Franca. Tha se janë dakorduar që përmbajtja të mbahet konfidenciale.

“Dialogun për normalizim duhet ta shohim në kontekstin e ri politik pas luftës në Ukrainë. Për propozimin që duhet të vendoset në tavolinë ka një dakordim mes propozuesve, Lajçak dhe dy këshilltarëve të presidentit Macron dhe Scholz, dhe në anën tjetër Kurtit dhe Vuçiq, ka një darkordim që përmbajtja e këtij plani të mbetet konfidenciale, dhe rrrjedhimisht unë nuk mund të nxjerr detaje”, tha Bislimi.

Gjatë raportimit, ai e pati një përplasje me deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti, të cilit nuk i pëlqeu mënyra se si po raportonte Bislimi.

“Meqenëse s’është Hashim Thaçi këtu, ti raportove në vend të Hashim Thaçit. Unë kam një mendim timin dhe një qëndrim që raportimet e tilla çojnë në një dezinformim të opinionit, sepse asnjë nga këto nuk qëndrojnë, sepse besoj fort se gjithçka është vendosur në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Andaj marrëveshjet e parealizuara nga palët nuk është mirë me ia faturu Hashim Thaçi”, i tha Haliti.

“S’është mirë as prej teje, s’është mirë as ne e as opinioni me i dëgju këto gjëra. Po raporton thua se… po ngjan thuajse Hashim Thaçi ia ka dorëzu pavarësinë e Kosovës Serbisë, e nuk e ka fitu pavarësinë e Kosovës me luftë e me paqe. Është diçka që keqkuptohet. Por mediat dhe qytetarët nëse dëgjojnë që të gjitha këto të këqija i paskan ardhë Kosovës nga Hashim Thaçi, atëherë do të duhet vërtetë të gjykohet se çfarë duhet të bëhet me atë njeri. Është e lehtë me thënë sot, kur e ke gjetë të gatshme lirinë, kur po e përfaqëson Kosovën në bisedime, dhe s’po raporton kurrgjë për të arritura. Ne nuk t’kemi thirrë me raportu për Hashim Thaçin. Ne të kemi thirrë me raportu për të arriturat që i ka bë Kosova në bisedimet me Serbinë dhe deri tash raportove për të kaluarën. Unë nuk kuptova diçka që keni arritur në bisedime”, shtoi ai.

Bislimi ia ktheu.

“Nuk e di a e keni dëgjuar raportimin tim. Unë fola se çka kemi bërë ne për çështjen e targave, energjinë dhe te çështja e të pagjeturve. Nuk e përmenda në asnjë rast z. Thaçi në kontekst të marrëveshjeve që nuk janë zbatu. E përmenda për një marrëveshje që është zbatu. Vetëm te një fjali e përmenda”.

Por Haliti vazhdoi, duke e ndërprerë Bislimin. Përsëriti se ai po fliste vetëm për të kaluarën.

“Unë e kuptoj që ju nuk mund t’i arrini ato që dëshironi…. Cilat janë problemet?… Nëse ka pasë shkelje, tradhti, atëherë jam i pari që do ta nënshkruaja cilëndo kërkesë tuajën që të japë llogari kushdoqoftë”, tha Haliti.

Kur pas kësaj, Bislimi tha se është ai vetë që e dizajnon mënyrën e raportimit, Haliti i ndërhyu edhe një herë.

“Jo çka të duash ti. Ne të bëjmë pyetje. Duam përgjigjen e saktë”.

Pas përplasjes, Bislimi e komentoi me neveri një pyetje të deputetes tjetër të PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai e pati një shpjegim për deklaratën e kryediplomatit europian, Josep Borrell, e cila u interpretua si zotim i Kosovës për ta themeluar Asociacionin.

Në deklaratën e Borrell ishte thënë se “Me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, palët janë pajtuar me masat për të evituar eskalimet dhe për t’u koncentruar në çështje urgjente, në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve, siç është prezantuar këtë shtator nga BE-ja dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”.

“Është gjuhë standarde e Bashkimit Europian. Është e pakuptueshme – edhe për secilin prej zyrtarëve në Bruksel – që në çdo diskutim me thënë ‘kryeministër, a ke me e bë Asociacionin’”, tha Bislimi.

Sipas zëvendëskryeministrit, ata që pyesin për këtë temë, kanë qëllime të këqija.

“Më së paku ka të bëjë me Asociacionin. E ka për qëllim që kryeministrin me detyru me thënë që nuk e bëj, e pastaj me dalë një deklarim prej Brukselit që ‘ti duhesh me e zbatu marrëveshjen’. Është e pakuptueshme që vazhdimisht me e rritë pazarin e Serbisë në marrëveshje e me e ulë atë të Kosovës”, tha ai.

Një shpjegim e pati edhe kur u pyet rreth heqjes së liberalizimit të vizave nga agjenda ditë më parë kur ambasasdorët e vendeve anëtare të BE-së ishin mbledhur në një takim.

“Jo domosdoshmërisht duhet të lidhet me procesin e dialogut. Por në mënyrë indirekte. Për arsye se kërkesa për largimin e temës së liberalizimit të vizave ka ardhur nga një vend shumë mik i Kosovës, nga frika se dikush mundet me e keqpërdor situatën me e kontaminu diskutimin rreth kësaj. Dmth qëllimi ka qenë i mirë, me e mbrojt temën nga ndikimet negative kontaminuese potenciale të ndonjë vendi skeptik. Dhe mendoj se kjo ka realizuar e suksesshme”, tha Bislimi

Të ngjashme