Dhjetëra persona me Sindromën Down dhe qytetarë kanë marshuar në sheshet e Prishtinës, për të shënuar simbolikisht Ditën Botërore të Sindromës Down me moton “Ec me këpucët e mia”.
Me mesazhet “Mos më paragjyko”, “Ec me këpucët e mija”, “Të dashur dhe shumë pozitiv” ata marshuan nga Kuvendi i Kosovës deri tek sheshi “Zahir Pajaziti”, raporton Ekonomia Online.
Pjesë e marshit ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se është me rëndësi që sot këtij marshi i janë bashkuar shumë qytetarë duke treguar se niveli i vetëdijesimit në shoqërinë tonë po ngrihet rreth potencialit që e kanë fëmijët pa dallim.
“Si institucione duhet ta kuptojmë se personat me Sindromën Down janë potencial i jashtëzakonshëm për shoqërinë dhe duhet të mbështeten në çdo segment të jetës së tyre sepse na dhurojnë shumë dashuri e ngjyra. Jemi në hapat e parë dhe kërkohet shumë punë”.
“Ne kaluam ditë të bukur dhe këta fëmijë shkëlqejnë nga sporti deri të muzika. Ua kemi borxh të bashkëpunojmë bashkërisht dhe të kuptojmë si është të ecim në këpucë të tyre”.
Ajo kërkoi që të merren parasysh modelet e shteteve tjera rreth integrimit të këtyre personave në shoqëri.
“Ne duhet t’i marrim parasysh modelet më të mira të shteteve dhe nëpërmjet atyre modeleve të sigurohemi që integrimi i tyre në shoqëri të ndodhë. Disa prej kërkesave të tyre janë terapi fizike me logopedi. Prandaj ne duhet të investojmë në kuadro të mirëfillta. Është me rendësi të investohet dhe përkrahen fëmijët me Sindrom Down. Duhet të rritet numri i asistentëve në shkolla”, tha Osmani.
Drejtoresha e shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini-Beqiri, tha se fëmijët me Sindromën Down, çdo ditë balafaqohen me sfida të ndryshme.
“Në kuadër të fushatës botërore për Sindrom Doën në përmbledhje të të gjitha aktiviteteve ne po përmbyllim lëvizjen e cila filloi nga objekti i Presidences me moton “Ec Me Këpucët e Mia”. Besojmë që çdo ditë do të jeni me ne sepse personat më Sidrom Down kanë nevojë për mbështetje sepse këta personat çdo ditë ballafaqohen me sfida të ndryshme”, tha ajo.
21 marsi shënon Ditën Botërore të Sindromës Down. Në këtë ditë personat me këtë sindromë, të afërmit e tyre, organizatat që punojnë për këtë çështje, organizojnë dhe marrin pjesë në aktivitete që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për Sindromën Down.