Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve mori pjesë në Marshin e organizuar dhe bëri homazhe pranë Obeliskut të të Zhdukurve, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë Haradinaj tha se të zhdukurit e luftës janë plaga jonë më e madhe, që na përcjellë secilën ditë, tash e dy dekada.
“Është obligim i yni shtetëror që të punojmë përditë, pa u ndalur, që ta zbardhim fatin e tyre. Kosova nuk harron!”, ka thënë kryeministri në detyrë Haradinaj.
Familjarët e të zhdukurve e falënderuan kryeministrin për punën e bërë deri më tani për shoqatat dhe të zhdukurit.
Përfaqësues i familjarëve të të zhdukurve, Bajram Çerkini, tha se vendasit dhe ndërkombëtarët janë fajtorët kryesorë që ende nuk ka rezultat për 1600 të zhdukurit.
“Familjarët në këtë ditë kanë një plagë që nuk munden me shëru, jo vetëm vendorët, por as ndërkombëtarët nuk po ndihmojnë e adresa është në Serbi, ata që na kanë çliruar mysafirët ata duhet me na ndihmu, ne si familjar nuk kemi djeg kerre e nuk kemi thy xhama, jemi të butë dhe më nuk mundemi me i përballu”.
“Na kanë shku shumë familjarë që na kanë vdek e kemi të zhdukur, dikush thotë se 70% janë gjet ato janë pallavra sepse ne i kemi gjet mbi tokë, familjarët i kanë marrë në rrugë. Ne presim tash nga votat nëse dimë kujt duhet me ia dhënë sot edhe nëse nuk janë vetëdijesuar deri me tani familjarët e të pagjeturve kujt me ia dhënë votën mos të dalin, shoqatat mos të pranojnë askënd ne e dimë kujt me ia dhënë”.
“Janë fajtorë ata që marrin rroga e nuk na kanë kryer punët, institucionet vendore dhe ndërkombëtare, ata po vijnë po bëjnë sefa nga hoteli në hotel dhe nuk po kryejnë punën”, tha Çerkini.
Në Kosovë 1 mijë e 600 persona ende konsiderohen të zhdukur.