Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë ka mbajtur në marsh simbolik në shenjë pakënaqësie dhe revolte ndaj menaxhmentit të UP-së, për mosndëshkimin e profesor Bekim Bejtës, raporton Ekonomia Online.
Edon Nishori, përfaqësues i studentëve, tha se profesori Bekim Bejta ka kërcënuar studentët në vazhdimësi.
“Siç po e shihni edhe vet, edhe jeni njoftuar se ky është një marsh simbolik i organizuar nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë”.
“Siç po shihet ky është marsh simbolik në shenjë pakënaqësie ndaj profesorit Bekim Bejta, i cili vazhdon me dhunë psikike dhe çdo formë tjetër kërcënuese për studentët e Departamentit të Anglishtes, por edhe ndaj departamenteve të tjera dhe ndaj Këshillit Studentor të cilët vazhdimisht kanë reaguar për këtë çështje në mënyra e tyre zyrtare dhe jozyrtare, vetëm e vetëm për t’i mbrojtur studentët”.
Nishori tha se profesori Bejta është dhunues psikik, raporton EO.
“Kemi vendosur se aq sa jemi në mënyra tona do të vazhdojmë rezistencën tonë. Ai është një psikopat dhunues psikik dhe nuk di se çfarë epiteti me i vu këtij njeriu”, tha Nishori.
Senati i Universitetit të Prishtinës ka vendosur të mërkurën që ta suspendojë profesorin Bekim Bejta nga procesi mësimor dhe të gjitha aktivitetet akademike në UP.
Sipas njoftimit të Këshillit Studentor të Fakultetit të Filologjisë, Bejta është suspenduar lidhur me shkeljet e vazhdueshme disiplinore të denoncuara nga studentët.
Madje, siç thotë njoftimi, ai pritet të përjashtohet përfundimisht shumë shpejt.