Bashkësia ndërkombëtare nuk kishte lënë gjë pa provuar për ta ndalur agresionin e Slobodan Milosheviqit mbi popullin e Kosovës, pos ndërhyrjes ushtarake, e cila ndodhi më 24 mars.
20 vjet pas, NATO-ja mbetet prania më e besueshme ndërkombëtare në Kosovë dhe nuk kontestohet as nga shqiptarët, as nga serbët, shkruan sot Koha Ditore.
Me aktivitete të ndryshme, liderët shtetërorë e kanë cilësuar 24 marsin si dita që shënoi kthesën historike.
Por fundvitin e kaluar Kosova rrezikoi t’i cenojë raportet me forcën që vazhdon t’i ruajë kufijtë.
Ndodhi kjo pas vendimit për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura, nëpërmjet ndryshimeve ligjore. NATO-ja e kundërshtoi vendimmarrjen, duke paralajmëruar rishikim të bashkëpunimit me FSK-n pas ndryshimit të mandatit.
Kjo forcë ende nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar rreth transformimit të FSK-së. Por transicionit mbështetje i dhanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, duke e cilësuar hap të natyrshëm transformimin e FSK-së.
Përkrahja për FSK-në është vënë në rrezik për shkak të taksës ndaj mallrave serbe, e cila po kundërshtohet nga Washingtoni. Kërkesa është që kjo masë të pezullohet, për t’i dhënë shans arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.