“Përreth globit, gratë po luftojnë për ndryshim duke realizuar filma të mrekullueshëm artistikë, dhjetë prej të cilëve e përbëjnë këtë vitrinë”, ka shkruar kritikja filmit Sarah Ward, në ueb-faqen zyrtare të një festivali filmi me traditë 65-vjeçare. Kësisoj e ka prezantuar kategorinë “Europe! Voices of Women in Film” (Evropë! Zërat e grave në film”, në kuadër të së cilës do të prezantohet edhe filmi “Martesa” i regjisores kosovare Blerta Zeqiri.
Ngjarja zë vend në kuadër të Festivalit të Filmit në Sydney, që sivjet mbahet prej 6 deri më 17 korrik. “Sydney Film Festival” në bashkëpunim me “European Film Promotion” dhe “Screen International”, ka publikuar programin me dhjetë filma të rinj, të realizuar nga regjisoret e suksesshme të Evropës. Në këtë mes ka gjetur vend edhe Zeqiri, e cila prezantohet si regjisore e lindur në Prishtinë, Kosovë. Filmi i saj i shkurtër “Kthimi”, ka marrë çmime të ndryshme dhe ka marrë pjesë në më shumë se 100 festivale filmash.
“Prezantuar me krenari nga ‘European Film Promotion’ dhe ‘Sydney Film Festival’, në partneritet me ‘Screen Internaional’ për të dytin vit me radhë, kjo kategori vë në pah punën e talenteve evropiane që udhëheqin me shembullin e tyre. Nga Gjermania në Finlandë dhe Kosova në Gjeorgjia, ato prezantojnë të ardhmen e industrisë”, përshkruhet programi në kuadër të së cilit do të shfaqet “Martesa”, i bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.