Filmi i parë i metrazhit të gjatë i Blerta Zeqirit ka filluar të shfaqet në kinematë kosovare më 1 shkurt dhe ka përmbyllur javën e parë të shfaqjeve me 1355 bileta të shitura nga vetëm 2 termine në ditë, duke ia kaluar kështu premierave botërore, si Den of Thieves dhe Maze Runner. Nga e premtja “Martesa” do të shfaqet në 3 termine ditore
Mbrëmë Martesa ka përmbyllur javën e parë të shfaqjes në Kosovë, ku ka arritur të mbushë pothuajse plotësisht sallat e Cineplexx në të gjitha shfaqjet e saj, duke u bërë kështu filmi më i shikuar për javën e parë të shkurtit 2018.
“Edhe pse ishim të kënaqur me premierën botërore në Tallinn, me çmimet dhe me kritikat e jashtëzakonshme ndërkombëtare nga Variety.com dhe Cineuropa.org, nuk e kam pritur aspak këtë interesim nga publiku kosovar. Assesi nuk kam pritur që shikuesit të kenë nevojë të blejnë bileta shumë më herët për të gjetur vend, e gjithsesi jo të kthehen pa e parë filmin për shkak të shitjes së biletave”, tha Producenti i filmit Keka Kreshnik Berisha.
As regjisorja dhe skenaristja Blerta Zeqiri s’e ka pritur një jehonë të tillë: “Jam e kënaqur që një punë 5-vjeçare po arrihet të shikohet nga publiku kosovar, e i cili është edhe arsyeja pse bëjmë film e pse fondet e shtetit tonë shkojnë në kinematografi. Festivalet janë të rëndësishme, por as nuk i afrohen kënaqësisë dhe përmbushjes që e arrin një filmbërës kur publiku e pëlqen filmin. Shpresoj që produksionet e Kosovës gjithmonë të tejkalojnë pritjet me shitje dhe që në një të ardhme të afërt edhe filmi të mund të vetëfinancohet nga shitja e biletave.”
Filmi “Martesa” flet për një temë tabu në shoqërinë kosovare, për dashurinë e ndaluar në mes dy burrave. Megjithatë, “përkundër temës, që para disa vitesh mund të konsiderohej kontraverse, deri më tani reagimet në rrjetet sociale kanë qenë jashtzakonisht të mira, ku ka edhe të tillë që kanë treguar që e kanë parë filmin nga 2 herë. Për këtë arsye, nga dita e nesërme Martesa do të shfaqet në 3 termine në Cineplexx”, thotë producenti, bashkëskenaristi dhe montazheri i filmit, Keka.
Filmi që u përkrah financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese. Treshen e personazheve kryesore të filmit me skenar të Blerta Zeqirit dhe Keka Kreshnik Berishës e interpretojnë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu. Përveç QKK-së, “Martesa” u përkah edhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë, si projekt me financim minoritar.
“Martesa” tashmë është në rrugëtim nëpër festivale të ndryshme botërore, me 6 festivale të konfirmuara vetëm në 2 muajt e ardhshëm, kurse nga marsi do të shfaqet edhe në kinematë e Tiranës.
Tallinn Black Nights Film Festival, ku më 28 nëntor bashkëprodhimi filmik Kosovë-Shqipëri e ka pasur edhe premierën botërore, bën pjesë në mesin e 15 festivaleve garues të kategorisë A, sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Producentëve të Filmit (FIAFP), ku filmi u shpërblye edhe me çmimin FIPRESCI – Çmimi i kritikës ndërkombëtare dhe Çmimin special të jurisë për ansamblin e aktorëve.