Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Marti Ahtisaari, është dorëhequr nga të gjitha aktivitetet publike.
Arsyeja është një çrregullim me memorie që ka avancuar në sëmundjen e Alzheimerit, ka njoftuar Zyra e Presidentit të Finlandës.
Ahtisaari ka qenë President i Finlandës nga viti 1994 deri më 2000. Po ashtu ai në viti 2008 ka fituar Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij ndërkombëtare për paqe.
Pjesën më të madhe të karrierës së tij politike e ka kaluar nëpër botë, veçanërisht në Afrikë dhe New York, në pozitën e Ministrit të Jashtëm të Finlandës dhe në Kombet e Bashkuara.
84-vjeçari thuhet se aktualisht është duke marrë trajtim në shtëpi, por që herë pas here trajtohet edhe në shtëpi kujdesi.