Sulmuesi i ri argjentinas ka nisur të përshtatet menjëherë në skuadrën zikaltër.
Lautaro Martinez, ka befasuar të gjithë me paraqitjet e mira në ndeshjet miqësore të Interit.
20-vjeçari është transferuar këtë verë nga Racing Club për më shumë se 20 milionë euro dhe menjëherë ka treguar vlerat e tij të larta si futbollist.
Martinez i falënderohet kapitenit të zikaltërve, Mauro Icardit, që po e ndihmon shumë për t’u përshtatur në skuadër, transmeton ksp.
“Këtu luhet një futboll më dinamik e më i shpejtë, madje dhe fushat kanë ndryshim me ato të Argjentinës. Gjithashtu shokët e skuadrës janë shumë të rëndësishëm për mua, ndihem shumë mirë në këtë ambient të ri”, u shpreh Martinez.
“Që para se të zbrisja në aeroport më merrte në telefon, sapo arrita më ofroi ndihmën e tij për çdo gjë, jam shumë me fat që kam një mik si ai”, ka theksuar argjentinasi.
Martinez ka realizuar tre gola në ndeshjet miqësore të Interit.