Gjendja epidemiologjike në qytetin e Tetovës në Maqedoninë e Veriut është përkeqësuar gjë që ka çuar në marrjen e vendimit për masa shtrënguese nga Komisioni për Sëmundje Infektive.
Vetëm brenda një muaji në këtë qytet numri i të infektuarve është rritur nga gjashtë në 229 të infektuar.
Në këtë qytet aktualisht ka 379 raste aktive me COVID-19, apo nëntë më shumë se Shkupi, i cili që nga paraqitja e pandemisë ka qenë qyteti me numrin më të lartë të të infektuarve.
Kjo ka bërë që Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe Komisioni për Sëmundjet Infektive t’i rekomandojnë Qeverisë që të vendosë masa të reja në rajonin e Tetovës për shkak të përhapjes së shpejtë të fundit të koronavirusit.
Masat parashikojnë ndalimin e të gjitha manifestimeve në ambiente të mbyllura, siç janë dasmat dhe manifestimet tjera familjare që besohet të jenë dhe shkaktarët kryesor të përhapjes së viruesit.
“Objektet e hotelierisë nuk duhet të mbushin më shumë se 30% të kapaciteteve ndërsa tavolinat nuk duhet të kenë më shumë se katër persona. Zbatimi i këtyre masave do të pasohet nga kontrolle të intensifikuara”, ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Qytetarët duhet të kuptojnë se kjo masë është e nevojshme. Do të përforcojmë aktivitetet në terren në mënyrë që të rritet imunizimi, sepse është e qartë se vetëm me vaksinim mund të parandalojmë përhapjen dhe rreziqet e sëmundjeve të rënda tek pacientët”, ka theksuar Filipçe. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, “pushimet verore, siç pritej, kanë sjellë një frekuencë të lartë lëvizjeje dhe për këtë arsye duhet të merren masa të caktuara për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Analizat e bëra ditët e fundit thonë se virusi, mbi të gjitha, po përhapet në mesin e të pa vaksinuarve, mbi 90 për qind të rasteve të reja janë qytetarë të pa vaksinuar. Nga ana tjetër, në Tetovë vaksinimi është nën 20 për qind”.
Në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar rreth 550 mijë persona, prej tyre rreth 425 mijë me nga dy doza.
Të premten në këtë vend u regjistruan 325 raste të reja me covid-19 që paraqet shifrën më të lartë që nga lehtësimi i masave në qershor. Raste aktive janë 1,268 persona nga mbi 157 mijë persona sa janë diagnostikuar me covid-19 që nga paraqitja e pandemisë.