Pas asgjësimit të një pjese të dosjeve komunale, Komuna e Gjilanit ka iniciuar procesin për rritjen e sigurisë për dokumentacionin. Drejtori i Administratës së përgjithshme në Komunën e Gjilanit, Bardhyl Syla, ka bërë të ditur se ata kanë angazhuar një operator i cili do t’i regjistrojë lëndët në drejtoritë dhe më pas ato do të transferohen në arkivin e integruar, i cili është në kuadër të Administratës.
Thotë se procesi do të përfundojë në qershor të këtij viti. Syla pranon se në arkivin e integruar të Komunës gjendet një numër i vogël i dokumenteve të cilat janë arkivuar, shkruan sot Koha Ditore.
“Bëhet fjalë për dokumentacionin e vjetër, sepse për dokumentacionin i cili vlerësohet se është i ri edhe me tutje do të qëndrojë nëpër drejtori. Sa i përket arkivit të Zyrës së prokurimit edhe më tej gjendet tek inkubatori i biznesit dhe është duke u punuar që këto lëndë të barten. Po kemi pak dokumentacion, sepse tash procesi ka filluar dhe është duke u punuar në bartjen e lëndëve. Procesi sipas planifikimeve pritet të përfundojë në qershor të këtij viti. Synojmë më pas të skanojmë dokumentacionin me qëllim që të ketë një qasje më të lehtë”, ka thënë ai.