Masa të reja në mbarë botën pas variantit të ri të Coronavirusit

Prishtinë | 29 Dhj 2020 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë po bën thirrje për intensifikim të studimit të sekuencës gjenetike të coronavirusit pas zbulimit të varianteve të reja në Britani dhe Afrikën e Jugut.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha gjatë një konference shtypi në internet të hënën nga Gjeneva se, “vetëm nëse vendet shqyrtojnë dhe testojnë në mënyrë efektive, do të jenë në gjendje të zbulojnë variantet dhe të hartojnë strategjitë për t’i përballuar ato”.

Ai tha se OBSH-ja po punon nga afër me shkencëtarët në mbarë botën për të “kuptuar më mirë të gjitha ndryshimet tek virusi” dhe ndikimet e tyre. Ai u bëri thirrje të gjitha vendeve që të ndajnë çdo të dhënë gjenetike me OBSH-në dhe vendet e tjera.

Zyrtarët britanikë kanë thënë se varianti i ri i coronavirusit të identifikuar në vend është më ngjitës, çfarë ka çuar në shtimin e mbylljeve dhe një valë kufizimesh globale të udhëtimeve me Britaninë.

Të hënën, vende të tjera, përfshirë Finlandën dhe Korenë e Jugut zbuluan rastet e para të variantit të ri të coronavirusit.

Një shtetas finlandez i cili u kthye nga Britania në vendin e tij kohët e fundit për pushimet e Krishtlindjes u diagnostikua me variantin e ri, sipas zyrtarëve finlandezë.

Koreja e Jugut njoftoi të hënën se do të zgjasë një ndalim të fluturimeve direkte me Britaninë deri më 7 janar. Njoftimi erdhi pasi tre individë që kishin hyrë në vend kohët e fundit testuan pozitivë për variantin e ri të coronavirusit.

Agjencia e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në Korenë e Jugut tha se tre individët kishin hyrë në vend me 22 dhjetor pasi kishin fluturuar nga Londra, duke i bërë ata rastet e para të njohura të variantit të ri të zbuluara në Korenë e Jugut.

Japonia, e cila njoftoi rastin e parë të variantit të ri të virusit javën e shkuar, e ka ndaluar hyrjen e të gjithë të huajve jo-rezidentë që nga mesnata e së hënës deri në fund të janarit.

Indonezia njoftoi të hënën se do të ndalojë përkohësisht shtetasit e huaj që futeshin në atë vend për dy javë, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e variantit të ri të virusit.

Arabia Saudite tha të hënën se po zgjat mbylljen e saj javore në të gjitha portet si rezultat i variantit të ri.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara hyri në fuqi të hënën vendimi që u kërkon të gjithë pasagjerëve që vijnë nga Britania që të testojnë negativ për COVID-19 brenda 72 orësh para nisjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme