Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e Nakaradës ku tha se 16 burra dhe djem të familjes Mirena, policia dhe paraushtarakët e Serbisë i ndanë nga familjarët e tyre.
Kurti në Facebook tha se familjet jetuan në ankthin e pritjes, pa ditur për fatin e tyre për shtatë vite.
“Në vitin 2006, u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit (nga e cila u zhvarrosën gjithsej 744 shqiptarë të Kosovës). Hetimet për masakrën në Nakaradë i kishte filluar UNMIK-u në vitin 2000. Në vitin 2008, dosja i ishte dorëzuar EULEX-it, ndërsa në 2018 çështja u dërgua në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Ende nuk janë dënuar autorët e as urdhërdhënësit e kësaj masakre”, ka shkruar Kurti.
Më tej, kryeministri ka bërë thirrje që sistemi i drejtësisë në Kosovë të veprojë me ngulm, për të sjellur drejtësi për Nakaradën dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
“Bëjmë thirrje edhe njëherë që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë me ngulm, për të sjellur drejtësi për Nakaradën dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë. Lavdi për martirët e Nakaradës! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, tha tutje ai.