Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka përkujtuar masakrën e Studimes së Vushtrrisë, duke thënë se 24 vjet më parë, 116 civilë të pafajshëm dhe të paarmatosur u vranë dhe u masakruan nga policia dhe ushtria serbe.
“Paramilitarët serbë nuk kursyen as fëmijët dhe të moshuarit – në planin e tyre për realizimin e gjenocidit në Kosovë”, është shprehur ai.
Po ashtu, Krasniqi tha se për familjet e viktimave, për ne si qytetarë të Kosovës dhe për vendin tonë – një gjë është e sigurt: “këto krime nuk do të vjetërsohen kurrë dhe ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi”.
“Po bëhen 24 vite nga masakra e tmerrshme e Studimes, por po bëhen edhe 24 vite që mblidhemi këtu për ta përkujtuar qytetarët e familjarët tuaj dhe secili vit po bëhet më i vështirë për të thënë ndonjë fjalë. Këta emra që janë prapa nesh, janë ndërgjegjja jonë kombëtare e shtetërore”, tha Krasniqi.
Ai përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Sot e çdo ditë duhet të kërkojmë drejtësi, por duhet të kërkojmë drejtësi edhe për të pagjeturit, dhe për ironi, në këtë kohë i kemi çlirimtarët në bankën e të akuzuarve”, tha Krasniqi.