Masat e policisë me pak efekt në ndaljen e aksidenteve

Prishtinë | 04 Gus 2019 | 09:32 | Nga Ekonomia Online

Aksidentet në trafik janë shndërruar viteve të fundit në një problem serioz në Kosovë. Sipas Policisë së Kosovës, 52 persona kanë humbur jetën që nga janari i vitit 2019 si pasojë e aksidenteve, kurse qindra të tjerë kanë marrë lëndime të lehta apo të rënda trupore.

Në shtatë muajt e fundit kanë ndodhur 44 aksidente me fatalitet.

Mosrespektimi i Ligjit, përkatësisht rregullave në trafik, konsiderohet ndër faktorët kryesor që çojnë në aksidente të tilla.

Policia e Kosovës, ka ashpërsuar dukshëm masat dhe ka shtuar aktivitetet në trafik në përpjekje për të parandaluar rritjen e numrit të aksidenteve, duke aplikuar edhe masa më rigoroze të gjobave në trafik.

Nga janari deri në korrik të këtij viti, Policia ka shqiptuar më shumë se 237,500 dënime për shkelësit e rregullave në komunikacion.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se përkundër masave të ndërmarra nga Policia e Kosovës, numri i aksidenteve, sidomos atyre me fatalitet mbetet shqetësues.

“Edhe përkundër angazhimeve dhe planeve konkrete, ende mbetet shqetësues numri i lartë i aksidenteve në trafik. Policia e Kosovës apelon tek të gjithë që të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë shenjat në komunikacionin rrugor dhe t’u përmbahen kushteve të rrugës”, tha Kelani.

Por, sipas autoriteteve të rendit, krahasuar me vitin 2018, për periudhën e njëjtë shihet një rënie e numrit të aksidenteve të trafikut dhe personave të vdekur, ndërsa ka një ngritje të shqiptimit të gjobave.

Në shtatë mujorin e parë të vitit 2018, sipas Policisë, kishte 50 aksidente me fatalitet, ku kanë vdekur 67 persona, ndërsa janë shqiptuar 225.864 tiketa. Ndërkaq gjatë gjithë vitit 2018, si pasojë e aksidenteve me fatalitet, kanë vdekur 128 persona. Kurse në vitin 2017, në aksidente trafiku kanë humbur jetën 137 veta.

Në janar të vitit të kaluar, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për komunikacionin i cili parasheh dënime nga 300 deri në 900 euro për shkelësit e rregullave në trafik si dhe konfiskimin e pikëve nga patent-shoferët për ngasësit problematikë.

Por, edhe masat e reja shtrënguese, po konsiderohen se nuk po japin efektet e duhura.

Qytetarët thonë se ndonëse po ndërmerren aksione për parandalimin e aksidenteve nga autoritetet e rendit, këto aksione po zgjasin shumë pak dhe nuk po tregohen efikase sa duhet.

Të ngjashme