Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, thotë se ka nisur lehtësimi i masave në vend dhe se Qeveria është e vetëdijshme për humbjet ekonomike, prandaj po fillon rikthimi gradual në normalitet.
“Ne po fillojmë hapjen graduale të ekonomisë, dhe si ministre duhet të them se me ministrin e shëndetësisë, masat e mëhershme i kemi marrë për ruajtjen e resurseve njerëzore”, ka thënë Hajdari.
“Kemi filluar hapjen graduale se jemi të vetëdijshëm për humbjet ekonomike, duke filluar nga likuiditeti. Jam e vetëdijshme që shumë punëtorë kanë humbur kontratat e tyre”, ka shtuar ajo.
“Ka shumë humbje, por kemi edhe shumë shpresë”, ka thënë Hajdari.
Ndërkaq Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se biznesët duhet t’i rikthehen funksionimit të tyre, por u kërkon biznesëve të respektohen masat në mënyrë strikte, ashtu që të mund të arrihet faza e dytë kur do të lehtësohen edhe më shumë masat.
“Në tri fazat e rikthimit, duhet të respektohen strikt masat mbrojtëse dhe distanca. Ne duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin, derisa të gjendet zgjidhja. Unë i lus të gjitha biznesët të jenë strikt, ashtu që të kalojmë në fazën e dytë. Pjesa më e mirë e ekonomisë do të hapet javën tjetër, për të vazhduar edhe me të tjerat më vonë”, ka shtuar ai.
E Naser Ramadani IKSHP ka kërkuar që të respektohen edhe masat e reja, në mënyrë që të tejkalohet edhe kjo fazë.
Tha se këto masa do të tejkaloheshin më herët nëse do t’i përmbaheshin qytetarët masave të ndërmarra nga IKSHP-ja.
“Jemi në një etapë tjetër vendimtare, sepse situata është normalizuar dhe kemi kaluar një periudhë tri javore. Sot kemi një lehtësim të masave deri me 18 maj për bizneset dhe qytetaret, por gjithmonë në përcjellje nga epidemiloget tonë. Këto masa duhet të zbatohen në përpikmëri nga qytetarët dhe bizneset. Duhet të bëhet ndalimi në ahengje, dasma, grumbullime familjare. Prej 15 prillit kemi pasur 200 raste të reja por mund ti shmangeshim nëse do ti përmbaheshim masave. Në komuna të ndryshme bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë dhe kemi pasur suksese dhe sot situata shihet me një dritë në fund të tunelit. Ministria e shëndetësisë e ka parë të arsyeshme lehtsimin e disa bizneseve dhe qytetarëve. Ruajeni shëndetin tuaj sepse pakujdesia na kushton me jetë”, tha ai.