Masat e reja: Vetëm në regjionin e Prizrenit mbrëmë u ndaluan 10 dasma

Prishtinë | 21 Gus 2021 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Pavarësisht që me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për masat anti-Covid, është ndaluar organizimi i ahengjeve, fejesave dhe dasmave, një gjë e tillë nuk u respektua nga qytetarët. Vetëm mbrëmë nga inspektorët e AUV-it dhe Policia e Kosovës janë ndaluar dhjetë dasma në regjionin e Prizrenit.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaci ka thënë për Express, se inspektorët sanitar kanë shqiptuar tetë gjoba për lokalet e gastronomisë. Poashtu Thaçi konfirmoi se katër lokale janë mbyllur.

“Mbrëmë në Regjionin e Prizrenit Inspektorati Sanitar i AUV-së bashkë me Policinë e Kosovës gjatë kontrolleve për mbikëqyrje të zbatimit të masave anti Covid sipas vendimit të fundit të Qeverisë, kanë ndaluar mbajtjen e 10 ahengjeve familjare, dhe janë shqiptuar 8 gjoba juridike për lokalet e gastronomisë të cilat nuk krijuar kushte për respektim të masave Covid 19. 4 lokale janë mbyllur”, ka thënë ai për Express.

Zëdhënësi i AUV-it bëri të ditur për Express, se shtatë ahengje janë ndaluar në qytetin e Prizrenit, dy ahengje në Malishevë dhe një Rahovec.

Ndalim të ahengjeve pati edhe në Prishtinë, ndërkohë Thaçi shtoi se kontrollet strikte do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

“.Në Prishtinë është gjobitur një lokal. Kontrollet strikte do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për të ndikuar në rënie të numrit të të infektuarve”, ka thënë Thaçi.

Në bazë të vendimit të Qeverisë, shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në orën 22:30 dhe të zhvillojnë aktivitete e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.

Ndërkaq janë ndaluar të gjitha veprimtaritë e klubeve të natës, organizimet e dasmave, të fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës në të gjithë vendin.

Masat janë në fuqi nga 20 gusht deri më 1 shtator 2021.

Të ngjashme