Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Volontari nel Mondo-RTM “Aleanca Për Zhvillimin e Edukimit Parashkollor në Kosovë” kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, raporton Ekonomia Online.
Ky projekt mbështetë zbatimin e Planit Strategjik për Sektorin e Arsimit në Kosovë, në fushën e edukimit në fëmijërinë e hershme.
Përmes implementimit të këtij projekti PEDAKOS, vë në dispozicion për Kosovën një përsosmëri italiane të njohur globalisht në sektorin e arsimit: Reggio Emilia Approach (REA), e cila është një qasje arsimore e lindur dhe zhvilluar në kopshtet e Reggio Emilias në Itali, në të cilën sot më shumë se 35 vende të botës frymëzohen dhe e praktikojnë këtë qasje.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, tha se janë duke bërë të pamundurën që nxënësve tu ofrohet arsim cilësor. Ai ka bërë të ditur se ky projekt kap vlerën e 1 milion eurove.
“Ministri ka pasur një bashkëpunim për kohë të gjatë Volontari nel Mondo-RTM dhe si rezultat kemi realizuar një hulumtim që është realizuar sot në bazë të këtij nënshkrimi. Projekti është propozuar në bazë të planit të vitit 2020-21 dhe në bazë të planit të kësaj qeverie”.
“Arsimi parashkollor është një bazë e mirëfilltë e shoqërisë sonë dhe përfshirja e tyre në edukimin e fëmijërisë së hershme do të ndikoje edhe ne karrierën e tyre te ardhshme. Deri më tani nuk kemi bërë shumë në këtë aspekt, por që jemi duke bërë të pamundurën. Projekti ka kosto 1 milion euro”, tha ai.
Ambasadori italian në Kosovë Nicola Orlando, tha se kapitali i Kosovës janë të rinjët, prandaj edhe duhet investuar në këtë drejtim, raporton EO.
“Jam i lumtur të po fillojmë një projekt që do të jetë në interes për gjithë Kosovën. Ashtu siç e përshkroi ministri ka të bëjë me arsimin e fëmijëve parashkollor ku dihet se kapitali i atij shteti janë të rinj dhe investimi në të është më rëndësi. Investimi te fëmijët është me rëndësi”.
“Ky investim është i rëndësishëm për Kosovën. Ky është projekti i parë në fushën e arsimit, por jo j vetmi në fushat tjera në Kosovë”, tha ambasadori.