MAShT: Edukimi dhe Artet nuk konsiderohen më si deficitare, prandaj s’do të mbështeten me bursa

| 05 Nën 2019 | 08:38 | Nga

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) njofton se ka planifikuar që edhe këtë vit bursat që do t’iu ndahen studentëve të kenë shumën e bursave që janë ndarë edhe vitin e kaluar – 880 euro.

Nëpërmes një komunikate për medie, MAshT-ja thotë se mbështetja e studentëve me bursa ka për qëllim përkrahjen e kuadrove deficitare, prandaj janë zgjedhur për mbështetje financiare vetëm fakultetet të cilat përgatisin kuadro deficitare.

“Fakulteti i Edukimit dhe ai i Arteve nuk konsiderohen më si deficitare, prandaj studentët e këtyre fakulteteve nuk do të mbështeten financiarisht nga MAShT”, theksohet në komunikatë.

Këtë vit, MAShT ka ulur kriterin e notës mesatare për studentët e Fakultetit Teknik, sepse ky fakultet përgatit kuadro që në tregun e punës ka mungesë të theksuar; si dhe disa drejtime rrezikojnë të mbyllen për mungesë interesimi për të studiuar në këto drejtime.

Me këtë rast, Ministria e Arsimit kërkon nga organizatat të cilat përfaqësojnë studentët, që të mos manipulojnë studentët në lidhje me këtë çështje.

Të ngjashme