MAShTI: Fillimi i vitit shkollor varet nga vaksinimi i mësimdhënësve

Prishtinë | 12 Gus 2021 | 08:18 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse për mësimdhënësit ka kohë që është hapur aplikimi për vaksinim kundër COVID-19, një gjë e tillë nuk po praktikohet nga një përqindje e madhe e tyre.

E pavarësisht asaj që një nga parakushtet për fillim të vitit të ri shkollor sipas MASHTI-t është vaksinimi i mësimdhënësve, këta të fundit nuk po e marrin parasysh një gjë të tillë.

Nga ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kanë bërë të ditur për Telegrafin se fillimi i vitit shkollor me pjesëmarrje fizike në shkolla, varet nga vaksinimi i mësimdhënësve.

MASHTI u ka bërë thirrje sërish të gjithë punëtorëve të arsimit që të mos hezitojnë në marrjen e vaksinës kundër COVID-19.

“MASHTI është duke planifikuar që viti i ri shkollor të fillojë me pjesëmarrje fizike në shkolla dhe me mësim të rregullt. Natyrisht se për t’u realizuar kjo, mësimdhënësit duhet të jenë të vaksinuar. Prandaj, edhe njëherë ju bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit përfshirë atyre të nivelit para universitar dhe të arsimit të lartë që të vaksinohen. Gjithashtu, ftojmë edhe studentët sidomos ata që duan të shfrytëzojnë konviktet në Qendrën e Studentëve që të vaksinohen para fillimit të vitit të ri akademik”, thuhet në përgjigjen e MASHTI për Telegrafin.

Të pyetur se a ka gjasa që të shtyhet fillimi i vitit shkollor shkak i hezitimit të mësimdhënësve për t’u vaksinuar, nga ministria e Arsimit kanë deklaruar se për këtë gjë tani për tani nuk ka diçka zyrtare dhe se po vazhdojnë të përcjellin situatën me COVID-19.

“MASHTI është duke e përcjellë situatën me COVID-19 dhe është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK-në të cilat japin rekomandimet përfundimtare andaj për detaje tjera do të njoftoheni me kohë”, kanë deklaruar nga ministria.

Edhe ministrja, Arbërie Nagavci ditë më parë u ka bërë thirrje mësimdhënësve dhe stafit teknik të shkollave të vaksinohen në mënyrë që në shtator të jenë të gatshëm të nisin mësimin me praninë fizike të fëmijëve në shkolla.

Gjithashtu edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës e Teknologjisë u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit që të marrin vaksinat anti-COVID.

Të ngjashme