Mashtrim si “bamirës” me kreditë online, arrestohen çifti që u vidhte të dhënat të varfërve e të sëmurëve

Prishtinë | 14 Qer 2026 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Dy persona, Adi Hodo dhe Paola Zyber, janë arrestuar në qarkun e Korçës nën dyshimin e ngritjes së një skeme të organizuar të mashtrimit financiar. Autorët shënjestronin kryesisht persona në nevojë, të varfër apo me aftësi të kufizuara intelektuale, të cilëve u prezantoheshin si përfaqësues të një shoqate bamirësie që shpërndante ndihma.

Pasi u fitonin besimin, ata u merrnin fotografitë e kartave të identitetit dhe me këto të dhëna aplikonin për kredi online në institucione mikrokredie, si IUTE Credit, pa dijeninë e vetë viktimave.

Skema u zbulua në fshatin Sheqeras të Maliqit, ku familjarët e një gruaje dyshuan dhe bënë denoncimin e menjëhershëm në polici sapo ajo dorëzoi dokumentet. Hetimet zbuluan se të dyshuarit udhëtonin drejt fshatrave me makina me qira dhe tentonin të fshihnin identitetin e mjeteve për të mos u diktuar.

Aktualisht, policia dhe prokuroria po zgjerojnë verifikimet në disa qarqe të vendit, pasi dyshohet se numri i personave të dëmtuar nga ky mashtrim është shumë më i madh.

Të ngjashme