Të mashtruar kanë dalë zyrtarët e Qendrës së Studentëve (QS) nga një tender për dyshekë, tavolina e shtretër të dedikuar për banuesit e konvikteve të kësaj Qendre.
Gati asnjë specifikë e kërkuar në dosje të tenderit dhe e nënshkruar më vonë edhe në kontratë nuk është përputhur me mallin që e ka pranuar QS-ja nga fabrika për prodhimin e mobileve “Mobelland” nga Suhareka, që e kishte fituar këtë tender në vlerë rreth 200 mijë euro. Gjithçka dukej se po shkonte mirë derisa kishte nisur futja e këtyre mobileve nëpër konvikte, shkruan sot Koha Ditore.
Kompania “Mobelland” i kishte zgjedhur ditët e vikendit e kohën jashtë orarit të punës për t’i futur pjesët e mallit të dyshimtë. Defektet nuk ishin vërejtur derisa po fillonte montimi i këtyre mobileve. Burime të gazetës kanë treguar se kompania në fjalë i ka sjellë dyshekët gati përgjysmë me peshë më të vogël sesa ishte kërkuar në specifikat teknike dhe në kontratë dhe po ashtu edhe tavolinat e kornizat për shtretër shumë më të holla. Kjo është vërtetuar edhe nga vetë zyrtarët e Qendrës së Studentëve. Në përgjigjet me shkrim të Zyrës për informim thuhet se kompania “Mobelland” ka provuar t’i mashtrojë kur e ka sjellë atë mall.