Erdhën nga Gjermania me qëllimin për të blerë tokë dhe për të ndërtuar një shtëpi për familjen Arifi nga Obiliqi, por Bekim Idrizi me disa donatorë të tjerë u mashtruan nga “pronari” i tokës ku do të ndërtohej kjo shtëpi.
Bekim Idrizi nga fshati Zhabar i Komunës së Mitrovicës i cili jeton qe 27 vjet në Gjermani dhe ka biznes të vetin për ndërtimtari industriale, pasi e pa në televizion gjendjen e familjes Arifi nga Komuna e Obiliqit shprehu dëshirën që t’ia ndërtojnë shtëpinë asaj.
“Një natë ishim duke e shiku televizionin, ku familja ime e panë familjen Arifi nga Obiliqi. Më herët më lajmëroi edhe shoku im Shqiprim Imeri që kësaj familje i duhet ndihmë. Për atë vendosa me u nda nga familja dhe nga biznesi im dhe të bëj shumë shpenzime e të vij në Kosovë, e atyre fëmijëve që ishin në mënyrë katastrofale t’ua maroj një shpi me shokët e mi”, tregoi Bekim Idrizi.
Bekim Idrizi tregon se para se të vinte vetë në Kosovë për t’ia filluar shtëpinë, e ka dërguar kolegun e tij Mërgim Mjekun për ta bërë pagesën e tokës.
“Mërgim Mjekun, dy ditë para meje e kam çu, i cili është koleg i jemi, me to edhe e kemi nis këtë aksion, ka edhe shumë të tjerë mos t’ua përmendi emrat. E kemi nis këtë projekt me bo për këtë familje, por kur erdhëm këtu na ka dalë krejt ndryshe. Njeri na e shiti tokën pa e pas hiq” tha Idrizi duke thënë se për të ishte befasi shumë e keqe që kurrë se kishte pritur prej vendit të tij, popullit të tij, kurrë në jetë.
Por puna mori kthesë për të keq kur të ardhurit nga Gjermania në misionin e tyre humanitar u takuan me personin që u prezantua si “Azemi” për ta blerë 1 arë e gjysmë tokë prej tij, ku do ta ndërtonin shtëpinë.
Shqiprim Imeri, një tjetër i përfshirë në aksionin për ndërtimin e shtëpisë, tha se bashkë me Mërgim Mjekun i dhanë 3 mijë euro për ta blerë tokën, ndërsa këtë proces e incizuan për të hequr dyshimet.
“Për një ari na ka majt 2 mijë euro, një ari e gjysmë 3 mijë euro. Vazhdon një javë procedurë, dy ditë derisa të përkthehet, na edhe i besum, ia dhamë paratë atij. Por momenti kur nuk e bëmë te noteri unë shpreha dëshirën me incizu duke ia dhanë paratë, duke na treguar se ai ka me na përkthy tokën, se thojsha mos po na tradhton e t’i kemi videot”, shpjegoi Shqiprim Imeri.
Imeri më tutje tregoi se ditën kur shkuan për të caktuar pikat në tokën e blerë për shtëpinë e kuptuan se ishin mashtruar nga “Azemi”.
“Kur shkum ia fillum me i qit pikat për ndërtimin e shpisë, menjëherë aty erdh ‘pronari’ edhe tha nuk ka përkthim, e asgjë e s’di çka iu boj, e na mbetëm pa tekst. O burrë ose jepi paret, ose jepe tokën, i thamë. Tha paret janë shkep, s’di çka boj, i hypi kerrit edhe shkoi”, tregoi Shqiprim Imeri.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Mërgim Mjekun i cili ka thënë se personi ua ka shitur tokën me gjithë tentimin e tij që pagesën t’ia bëjnë në praninë e noterit.
“Ata me kanë thënë ketu në Kosovë bëhet një herë pagesa, e pastaj përmes noterit, ndërsa e vërteta doli se ai nuk ishte fare pronari”, tregoi Mjeku.
Gjithçka nisi sipas Shqiprim Imerit kur personi që mashtroi me emrin “Azem” e paraqiti edhe në Facebook gjendjen e rëndë ekonomike të familjes Arifi, duke u ofruar për të shitur tokë për ata që duan t’ia ndërtojnë shtëpinë.
“Kësaj radhe ndodhi një rast shumë interesant, një person e qiti në Facebook një familje në Obiliq, menjëherë pas rastit unë shpreha dëshirën me shku me vizitu, tu e pyt Bekim Idrizin, domethënë donatorin që i ka dërgu paratë për t’i ndihmuar, ose tokën, ose shtëpinë, qoftë nevoja edhe me ushqim”, tha Imeri.
Ajshe Arifi, kryefamiljarja e familjes me 7 fëmijë të cilës donatorët nga Gjermania dëshiruan t’i ndërtonin shtëpinë, thotë se personi që mashtroi për tokën e ka kërcënuar familjen e saj.
“Kërcënime kemi marrë prej tij, na ka ardhë në derë. Ai i mori 3 mijë euro edhe iku dikah, e s’po shihet hiq. Masi na kanë mashtru e i kanë marrë paret, ai na ka çu dy të tjerë, unë nuk e di kush janë ata dy, veç kërcënime kemi marrë na. Na kanë thonë neve mos na kapni neve për goje”, rrëfeu Arifi.
Më pas, sipas Ajshe Arifit, personi që mori paratë pa qenë pronar i tokës i kishte thënë djalit të saj se do t’ua falte një ari tokë.
“Djalit i ka thonë unë kam tokë me shit, plus ka thanë unë jam në gjendje me ua falë një ari se jo për me ua shit, por jam në gjendje edhe një ari me ua falë”, shtoi Arifi.
Bekim Idrizi shpreson që mashtrimi të ndriçohet nga Policia e Kosovës, pasi sipas tij fëmijët e familjes Arifi nuk e meritojnë këtë që ndodhi.
“Nuk e meritojnë ata fëmijë, që kur i kam pa që as çorape nuk kishin, zemra po me dhem për ta. Unë jam i sigurt që shteti jonë funksionon, shpresoj që ky rast të zbardhet dhe fajtori të gjendet, t’i jepet merita e duhur atij, e që ne mërgimtarët mos me u tut mo me ardhë këtu”, tha Idrizi.
Policia e Kosovës tha se i dyshuari për mashtrim është identifikuar, por ndodhet në arrati.
“Lidhur me këtë rast policia ka ndërmarrë te gjitha veprimet e nevojshme policore dhe ka arritë të identifikoj personin e dyshuar i cili aktualisht ndodhet ne arrati. Hetuesit policor janë duke punuar në koordinim të plotë me prokurorinë e shtetit për ndriçimin e të gjitha rrethanave dhe për çdo informacion të ri rreth këtij rasti mbesim në kontakt”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.