Premtimet e dhëna në vitin 2014 nga partitë që morën kontrollin mbi Qeverinë nuk janë realizuar.
Rritja ekonomike ka mbetur në nivelet e njëjta, që sipas ekspertëve nuk siguron ndryshimin e ritmeve të zhvillimit.
Edhe ulja e papunësisë dhe e varfërisë, thonë ata, ka pak shanse të ndodhë për sa kohë që numri i të punësuarve është më i vogël sesa numri i të rinjve që për çdo vit futen në tregun e punës.
Për gjendjen e vështirë ekonomike të qytetarëve nuk flasin vetëm ekspertët, por edhe faktet në terren. Për 70 vende pune për pozitën zyrtarë korrektues, të shpallur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, kanë aplikuar afro 4 mijë persona.
Vështirësitë dhe konkurrencën e madhe për të gjetur një vend pune në Kosovë i tregon edhe konkursi i Komunës së Prishtinës, përkatësisht i Drejtorisë së Arsimit. Në gusht të vitit të kaluar për një vend pune, edukatore për parafillorë, kishin aplikuar mbi 150 persona.
Punëkërkuesit që ishin të pafat, me këtë proporcion mes ofertës dhe nevojës, duhet të presin konkurse të ngjashme më shumë se 50 vjet, me kushtin që për këto vite atyre të mos u rritet konkurrenca nga të rinjtë e tjerë që dalin në tregun e punës. (Koha Ditore)