Plani operativ Avio-Biletat ka rezultuar me arrestimin e dy personave. Janë gjithësej 27 qytetarë që ranë pre e biletave të rrejshme të aeroplanëve (përfshirë bashkëatdhetarët). Por, policia thotë se numri i qytetarëve që u mashtuan me këso bileta është më i madh prandaj apelon që cilido që është mashtruar të paraqitet në stacionet policore.
Përmes një njoftimi dërguar mediave policia ka arrestuar dy persona.
Bëhet fjalë për: R.I – M/SH/K viti i lindjes 1990 dhe A.D – F/SH/K viti i lindjes 1995.
Në këtë operacion policor janë kontrolluar katër lokacione, në rajonet Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë, në mesin e tyre tri agjensione turistike si dhe një banesë.
“Gjatë kontrollimit është bërë arrestimi i dy personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast si dhe është bërë konfiskimi i tri shtëpizave të kompjuterëve, tre telefonave mobil, dhe disa dokumenteve të cilat ndërlidhen me rastin”, njofton komunikata e Policisë së Kosovës, përcjellë Klan Kosova.
Ndaj të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Si pasojë e veprimeve të të dyshuarve dyshohet se janë dëmtuar disa agjensione turistike dhe rreth 27 (njëzet e shtatë) qytetarë nga regjionet e ndryshme të Kosovës si dhe nga diaspora. Dyshohet se numri i personave të dëmtuar nga ky rast mund të jetë më i madh, andaj : Apelojmë tek të gjithë qytetarët që janë viktima të mundshme të mashtrimit nga personat e dyshuar të lartëcekur të lajmërohen në polici”, njofton Policia e Kosovës përcjellë Klan Kosova.