Juan Mata e ka pranuar se familja dhe shokët e tij ishin shqetësuar kur Jose Mourinho u bë trajner i Manchester Unitedit, mirëpo mesfushori spanjoll nuk i pati të njëjtat shqetësime për ish-trajnerin e tij.
Jose Mourinho, i cili e shiti mesfushorin te “Djajtë e kuq” pasi punoi me të në Chelsea vetëm për gjashtë muaj, e zëvendësoi Louis Van Gaalin në “Old Trafford” gjashtë ditë pasi Mata e shënoi një gol në fitoren e Manchester Unitedit në finale të FA Cup në vitin 2016.
Mediat angleze spekulonin se Mourinho do ta largonte sërish Matan nga skuadra, mirëpo vetë futbollisti dëshironte ta dëshmonte veten, përkundër shqetësimeve të familjes dhe shoqërisë së tij për trajnerin portugez.
“Louis shkoi dhe filluan spekulimet se Jose Mourinho do të bëhet trajneri i ri i Manchester Unitedit”, shkroi Mata në autobiografinë e tij, “Suddenly a Footballer”.
“Dhe, përkundër shqetësimeve të familjes, shoqërisë dhe shumë njerëzve të tjerë, unë isha i përkushtuar që të përballem me situatën ashtu siç kisha tentuar gjithmonë: në mënyrë pozitive”.
“Ashtu siç pritej, shumë histori dolën sërish në mediume. Unë nuk kisha të ardhme të mundshme në klub. Unë tashmë duhej të largohesha”.
“Shumë njerëz besonin se këto lajme ishin të vërtetë dhe, sërish, ata arrinin në përfundimin se nuk kam të ardhme me të. Natyrisht, njerëzit besonin se historia e njëjtë do të përsëritej. Unë isha i bindur se nuk do të ndodhte”.
“Për ta bërë këtë, unë u përqendrova, si shumë herë në karrierën time, në ato gjëra që i kisha në kontroll: përkushtimin tim, profesionalizmin dhe punën time. Koha e dëshmoi se kisha të drejtë”.
Mourinho u shkarkua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit në dhjetor të vitit 2018, përderisa Mata mbetet pjesë e rëndësishme e ekipit të parë në “Old Trafford”.