Sipas Hajrulla Çekut, ministrit të Kulturës në Kosovë, kur vdesin njerëz nga Covid-19 dhe ministër është Armend Zemaj i Lidhjes Demokratike të Kosovës, atëherë i ka fajet ministri, ndërsa kur vdesin njerëz nga virusi, por ministër është Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje, për vdekjet i ka fajet virusi.
Çeku shkruante me 4 korrik të vitit 2020 se vdekja e gjashtë personave atë ditë nga Covid-19 është një “dhimbje e madhe”, derisa fajësonte qeverinë për vdekjet.
“Mos prisni asgjë nga kjo qeveri”, shkruante Çeku, “nuk kanë as ide e as vullnet të merren me pandeminë”.
Prandaj, atëherë deputet opozitar, ftonte qytetarët që të kujdesen vetë se s’kanë kë tjetër t’u vinte në ndihëm.
Tri ditë më vonë, me 7 korrik 2020, Çekut iu kishte mbushur kupa.
Atë ditë nga të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës jepej se nga COVID-19 kishin vdekur katër persona, derisa ishin infektuar 195 të tjerë.
Çeku, i indinjuar, shkruante në formë pyetje se “edhe sa njerëz duhet të vdesin që të shkarkohet Armend Zemaj?
Aktin e dorëheqjes, si një veprim fisnik në politikë, Çeku thoshte se “nuk e presim prej tij”, “sepse dorëheqja është akt moral”.
Një vit më vonë, kur Çeku nuk është më opozitar, por ministër dhe me Shëndetësinë udhëheqë bashkë-partiaku i tij, Arben Vitia, numrat e infektimeve dhe vdekjeve janë disa herë më të mëdha, por Çeku më nuk kërkon dorëheqje të askujt.
Vetëm dje, ditë e premte, në Kosovë kishte 16 të vdekur nga Coronavirusi, derisa të enjten 18 të tjerë dhe në total në javën e fundit plot 173 persona kanë ndërruar jetë, derisa janë infektuar 16 mijë e 113 persona brenda javës.
Vitisë jo që i është kërkuar dorëheqja, por është përshëndetur nga Ministrja e Diasporës, Donika Gërvalla dhe nga zëvendës-kryeministri, Besnik Bislimi, për punën e mirë e të madhe që po bën.
“Ja heqim kapelën”, kanë thënë edhe Gërvalla edhe Bislimi, derisa ky i fundit ka treguar se Vitia aq shumë punon sa që vetëm këtë javë e ka thirrur në telefon gjashtë herë dhe gjithashtu gjashtë herë të tjera janë takuar.
Përveç ministrave që nuk kanë folur, nuk ka thënë gjë as Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Rritja e madhe e numrave të vdekjeve e të të infektuarve nuk është problemi i vetëm që ka Kosova me pandeminë. Vaksinimi gjithashtu mbetet çështje në të cilën ka ngecur shteti.
Parregullsi, pritje të gjata në rëndë dhe grumbullime janë parë në pikat e vaksinimit. Derisa, përkundër se qeveria ka lëshuar një kampanjë në internet pro vaksinimit, në faqen për caktimin e orarit të marrjes së vaksinës, shkruan se orare të lira për momentin nuk ka.