Materialet e përdorura në Bibliotekën Kombëtare “karantinohen” për 72 orë

Prishtinë | 20 Dhj 2020 | 08:00 | Nga Majlinda Ibrahimi

Materialet e përdorura në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” nuk lejohen të shfrytëzohen përsëri pa kaluar 72 orë, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i saj, Fazli Gajraku tha se rënia e frekuentimin të lexuesve në hapësirat e bibliotekës dhe zvogëlimi i punëve si pasojë e pandemisë, ka bërë që ai dhe stafi të fokusohen në projekte për aktivizimin e shërbimeve elektronike.

“Nuk mendoj që dëmet janë të pariparueshme, në fakt pandemia ka zvogëluar volumin e punëve dhe objektivat që janë synu me arrit gatë vitit 2020, për shkak të rënies së dinamikës së secilës punë dhe secilit projekt që është planifikua të realizohet gjatë këtij viti. Por se gjithë kjo kohë e kufizimeve gjatë të cilës ne kemi jetu dhe punu, na ka fokusu në një sesi Biblioteka Kombëtare do të duhej t’i gjejë formulat për boshllëqet që i ka kriju kjo pandemi për të qenë Bibliotekë aktive, bibliotekë që pasurohet me koleksione, bibliotekë që përpunon në një lloj dinamike koleksionet e saj, bibliotekë që gjen mundësi për të ftuar përdoruesin edhe në shërbime elektronike

“…në këtë kohë me sa e kujtojmë, biblioteka është fokusuar në hartimin e një mori projekteve, pasi kur jemi duke punuar nuk gjejmë kohë për këto direktiva që vijnë në hartimin e projekteve. Kur fillon dhe mendon se çfarë është synu dhe çfarë është arrit, e shohim se ja ka vlejte fokusimi në projekte, pasi ato janë bërë pjesë reale e punëve që Biblioteka Kombëtare po i realizon”, tha ai.

Tutje, Gajraku thotë se për ta evituar rrezikun e përhapjes së Coronavirusit, Biblioteka Kombëtare ua ka mundësuar lexuesve që të aplikojnë online për çfarëdo materiali që ata kanë  nevojë.

“Tani pothuajse po bëhen tre muaj që kur biblioteka është hapë për përdorues, është hapë në një formë tjetër për përdoruesit sepse siç e dini shërbimet janë dhënë nëpërmjet plotësimin e një formulari për këdo që e kërkon, ne e kemi mundësu dhe kemi kriju një platformë të kërkimit online, ku përdoruesit mund të bëjnë kërkesë prej shtëpisë dhe në ua ofrojmë librin, materialin në kohën e duhur pa e pasur këtë lloj rrezikut, ku fletë porosia mbartet nga dora në dorë, siç e dini një fletëporosi shkon në shumë duar. Në fakt janë përgatitë të gjitha masat në përputhjen e masave, me sa ne e dimë Biblioteka Kombëtare po i ndjek këto masa kundër Covidit”, u shpreh ai.

Më tej, Gajraku tregon për Ekonomia Online se librat e përdorur janë futur në kaarantinim për 24 deri në 72 orë. Sipas tij kjo nuk e ka penalizuar askënd pasi pothuajse për çdo material kanë edhe kopje të tjera.

“Kur kemi hapur Bibliotekën kemi menduar se do të ketë inovazion të madh të lexuesve dhe ne jemi përgatitë për një frekuentim të madh, mirëpo nuk ka pasur shumë, kanë qenë të paktë. Ne jemi përgatitur që njësit bibliotekare që ata i përdorin, të hyjnë në karantinë pas përfundimit, kur një lexues të mos e përdorë më, kjo libër hyjnë në karantinë për orë të caktuara. Sipas rregullave një libër duhet të karantinohet minimum 24 orë dhe deri në 72 orë, njësia fizike apo materiali fizikë. Janë shumë raste të rralla kur njësia duhet të pres pasë kërkesës”, tha tutje ai.

Një ndër arsyet për rënie të frekuentimit të bibliotekës është zhvillimi i mësimit online, ku shumica e studentëve apo lexuesve nuk janë duke qëndruar në konvikte apo ndjekur mësimet në objektet e fakulteteve.

“Matjet tona që i bëjmë sa frekuentohet biblioteka dhe pse frekuentohet kemi parë që biblioteka ka këtë numër për disa arsyeje, kemi parë se shumica e përdoruesve janë studentë të kësaj biblioteke dhe ata po e bëjnë mësimin online, e dyta kjo shtrëngesë e masave kundër Covid që përdoruesit të kenë ndrojtje dhe për shkak të rrethanave tjera që ne i dojmë kërkimet në internet kërkimet në platforma tjera digjitale”, tha Gajraku.


Të ngjashme