Në Kamenicë, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka përuruar fillimin e punimeve për dy projekte tjera në fushën e mjedisit, rregullimi i shtratit të lumit Kriva reka – Faza e parë, në vlerë prej 900 mijë euro dhe pastrimi i shtratit të lumit Katushnicë – Karaqevë, në vlerë 150 mijë euro.
Matoshi ka thënë nder të tjerash se projekti i rregullimit të shtratit të lumit “Krivareka”, synon që ta kthejë në gjendje më të mirë këtë lum, pasi që do të pajiset me infrastrukturën e nevojshme përcjellëse.
“Në kuadër të këtij projekti parashihet pastrimi i plotë i tij, rregullimi i infrastrukturës përcjellëse, asfaltimi i anësorëve, shetitorëve për këmbësorët, biçiklistat, ndriçimi përgjatë lumit, ulëse etj”, tha Matoshi.
Gjatë ditës së sotme, ministri Matoshi ka marrë pjesë edhe në fillimin e projektit për pastrimin e lumit në Katushnicë.
“Ne sot kemi filluar edhe pastrimin e shtratit të lumit nga Katushnicë deri në Karaçevë të Ulët. Ka një gjatësi prej mbi 5 km, është po ashtu një lum i degraduar i mbushur me mbeturina dhe ku projekt parasheh pastrimin e tij, zgjerimin e shtratit të lumit dhe krijimin e kushteve më të mira për ujë më të pastër për banorët e kësaj zone”, theksoi Ministri Matoshi.