Ushtruesi i detyrës së ministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi sot ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të ‘Fondacioni Mileniumi i Kosovës’, Petrit Selimi, drejtoreshën për Kosovë të “MCC Millennium Challenge Corporation”, Sarah Olmstead, drejtorin për programin e qeverisjes, Agron Kelmendi dhe specialisten e hapjes së të dhënave, Gentiana Mahmuti.
Ky takim është realizuar në kuadër të bashkëpunim mes MMPH-së, MCC-së dhe JICA Japoneze, për projektin që do të realizohet për përmirësimin e sistemit të monitorimit të cilësisë ajrit, i cili projekt është në kuadër të programit “Threshold” për Kosovën që përfshinë sektorin e mbrojtjes së mjedisit.
U.d ministri Matoshi, gjatë këtij takimi tha se projektet për përmirësimin e mjedisit, të mbështetura nga donatorët ndërkombëtar, kanë rëndësi të madhe për MMPH-në.
“ Projektet për përmirësimin e mjedisit me donatorë siç është MCC-ja dhe JICA Japoneze i vlerësojmë shumë. Si Ministri e Mjedisit kemi objektivë që të dalim sa më suksesshëm në projektet që kemi si institucion dhe projektet që kemi me donatorët tanë. Jam i përkushtuar të shtojë numrin e donatorëve për ministrinë tonë”, tha Matoshi.
Gjatë takimit, u.d ministri Matoshi tha se përmirësimi i gjendjes së ajrit në Kosovë, nuk mund të bëhet pa ndihmën e donatorëve ndërkombëtar ndërsa premtoi që MMPH-ja do t’i kryej të gjitha obligimet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i ‘Fondacioni Mileniumi i Kosovës’, Petrit Selimi, ka falënderuar u.d ministrit Matoshin për bashkëpunim ndërsa ka treguar për hapat që janë duke u ndërmarrë për projektin që do të realizohet në përmirësim të sistemit të monitorimit të ajrit.
Selimi ka treguar se shumë shpejt do të fillojnë përgatitjet teknike për lansimin e softverit të përhershëm për paraqitjen e të dhënave në kohë reale përmes sistemit online, ku qytetarët e Republikës së Kosovës mund të informohen për cilësinë e ajrit.
Projekti në fjalë ka tri komponentët dhe ka për objektiv të mbështesë Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në përmirësimin e sistemit të monitorimit të cilësisë ajrit, përpunimin e të dhënave dhe ofrimin e këtyre të dhënave në kohë reale përmes sistemit online.