Guy Ritchie e realizoi një sukses fantastik këtë vit me ribërjen e Disney, “Aladdin”, ndërsa tani është koha që t’u rikthehet rrënjëve të veta.
Huliganët, humori specifik, dialogjet e shpejta dhe shumë dhunë – të gjitha këto janë Guy Ritchie dhe të gjitha mund t’i shohim në fragmentin e ri për komedinë e tij të re kriminalistike “The Gentlemen”.
Fragmentin e parë e kemi parë në fillim të tetorit, ndërsa ky tani na jep një vështrim më të mirë të Mickey Pearson dhe Dry Eye, personazhe të luajtur nga Matthew McConaughey dhe Henry Golding, shkruan KOHA Ditore. Ngjarja bën fjalë për emigrantin e lartpërmendur amerikan Mickey, i cili e ka ndërtuar një perandori të madhe marihuane në Londër, dhe i cili deklaron se dëshiron ta shesë biznesin e tij shumë të majmë dhe të largohet përgjithmonë nga ajo botë. Por kjo do të shkaktojë komplote, kurthe, ryshfete dhe shantazhe të ndryshme me qëllim që të tjerët ta zënë vendin e tij.
Ritchie e ka shkruar skenarin dhe e ka bërë regjinë, ndërsa në rolet e tjera shfaqen aktorët e mëdhenj: Charlie Hunnam, Michelle Dockery, Jeremy Strong, Eddie Marsan, Colin Farrell dhe Hugh Grant.
“The Gentlemen” mbërrin në kinema më 23 janar 2020.