James Mattis, gjenerali me nam i Marinës amerikane që në dhjetor të 2018-s ishte dorëhequr si Sekretar i Mbrojtjes, në shenjë proteste ndaj politikave në Siri të Donald Trumpit, ka qenë që nga ajo kohë i heshtur rreth punës së Trumpit si president.
Sidoqoftë, tani ai e ka thyer heshtjen, shkruan gazeta amerikane “The Atlantic”. Ai ka bërë kritika të ashpra në adresë të të parit të SHBA-së, të cilin e ka qortuar për përçarjen e popullit dhe e ka akuzuar se Ushtrinë amerikane e ka urdhëruar t’i shkelë të drejtat kushtetuese të qytetarëve amerikanë.
“I kam përcjellur për së afërmi ngjarjet e kësaj jave, i zemëruar dhe i neveritur”, ka shkruar Mattis.
“Fjalët “Drejtësi e barabartë me ligj’ janë të gdhendura në Gjykatën Supreme. Është kjo pikërisht gjëja që po e kërkojnë, me të drejtë, protestuesit. Është kjo një kërkesë e të gjithëve dhe unifikuese – të cilën duhet ta përkrahim të gjithë. Protestat po definohen na dhjetëra mijëra njerëz të ndërgjegjshëm, që po insistojnë që ne t’i mbrojmë vlerat tona – vlerat tona si njerëz dhe vlerat si komb”, ka shkruar ai.
Sipas tij, duhet të japin përgjegjësi ata në pushtet “që tallen me Kushtetutën tonë”.
“Donald Trumpi është presidenti i parë në jetën time që nuk tenton ta bashkojë popullin amerikan – e as që shtiret se po mundohet. Në vend të kësaj, ai mundohet të na përçajë:”, ka vazhduar Mattisi.
Mattisi po ashtu ka thënë se amerikanët janë dëshmitarë “të pasojave të tre vjetëve të kësaj përpjekjeje të qëllimshme. Jemi dëshmitarë të pasojave të tre vjetëve pa udhëheqësi të matur. Ne mund të bashkohemi edhe pa të. Kjo nuk do të jetë e lehtë, si kanë treguar ditët e fundit, por ua kemi borxh qytetarëve tanë; gjeneratave të mëparshme që kanë derdhur gjak për ta mbrojtur premtimin tonë; dhe fëmijëve tanë”.
Pakënaqësia e Mattisit me Trumpin nuk ka qenë diçka sekrete brenda Pentagonit. Por, pas dorëheqjes së tij, ai kishte argumentuar publikisht – duke u përballur me kritika të mëdha – se do të ishte e pahijshme dhe kundërproduktive që një ish-gjeneral dhe një ish-zyrtar i Kabinetit ta kritikojë presidentin.
Asaj periudhe tani i ka ardhur fundi. Mattis ka konkluduar gjatë javës së kaluar se eksperimenti amerikan është duke u kërcënuar dretjtpërsëdrejti nga veprimet e presidentit, të cilit dikur i kishte shërbyer. Në deklaratën e tij, Mattis e ka bërë të qartë se përgjigja e presidentit karshi vrasjes së George Floydit dhe protestat e mëpasme, e kanë nxitur këtë kritikë publike.
“Kur u bëra pjesë e Ushtrisë, rreth 50 vjet më parë, dhashë betimin se do ta mbroja Kushtetutën. Asnjëherë nuk kam ëndërruar se ushtarët, që e japin të njëjtin betim, do të merrnin urdhër që t’i shkelin të drejtat kushtetuese të bashkqytetarëve të tyre”, ka shkruar ai.