Mbi 4 mijë nxënës në Prishtinë i janë nënshtruar testit të Maturës. Maturantët treguan për Ekonomia Online se testi nuk ishte i vështirë, dhe se mbarëvajtja ka shkuar mjaft mirë. Nxënësit e shkollës së mesme “Ahmet Gashi”, testin e kanë mbajtur në shkollën “Pjetër Bogdani”.
Ernesta Sahiti, maturantë në gjimnazin “Ahmet Gashi”, thotë se testi ka qenë me 100 pyetje, që sipas saj, nuk ishin të vështira.
“Testi i maturës nuk ishte shumë i vështirë aq sa e kemi menduar ne maturantë dhe testi ka qenë me 100 pyetje dhe 40% është dashur të zbatohet për të kaluar testin”.
“Testi ka shkuar shumë mirë masat janë respektuar dhe nuk ka pasur ndonjë problem. Pyetjet nuk kanë qenë të vështira amo dhe parregullsi nuk ka pasur”.
Ndërsa Arjeta Krasniqi, tha se çdo gjë ka shkuar mirë dhe se janë respektuar edhe rregullat sa i përket pandemisë.
“Gjithçka ka shkuar në rregull. Distanca është mbajtur ndërmjet nxënësve dhe komisionerëve. Emocione si çdo nxënës mirëpo çdo gjë shkoi mirë”.
“Parregullsi nuk ka pasur, gjithçka ka shkuar në rregull, pyetjet kanë qenë pak të vështira. Në klasë kemi qenë 12 nxënës dhe distanca ka qenë e mjaftueshme”, shtoi Krasniqi.
Përderisa Dafina Alaj-Miftari, drejtoreshë e shkollës, “Pjetër Bogdani”, tha se në shkollë kanë qenë 139 nxënës të ndarë në 12 grupe, raporton EO.
Sipas saj, në klasat ku është mbajtur testi distanca ka qenë 1 metër e gjysmë deri në dy dhe se nxënësit janë pajisur me maska.
“Sot kam qenë menaxhuese e testit të arritshmërisë. Në shkollën tona kanë qenë 139 nxënës të shkollës Ahmet Gashi. Kanë qenë të ndarë në 12 grupe. Mbarëvajtja ka shkuar shumë në rregull duke respektuar të gjitha masat që janë ndërmarrë nga ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë. Gjithashtu testi ka filluar me kohë në orën 10 dhe ka përfunduar në orën 12:30″.
“Të gjithë administruesit kanë qenë me kohë dhe kemi pasur vizitë nga Ministria e Arsimit ku ka qenë zëvendësministri i Arsimit Xhavit Rexhaj. Nxënësit nuk kanë qenë të stresuar dhe nuk ka pasur parregullsi. Në klasat ku është mbajtur testi i maturës distanca ka qenë 1 metër e gjysmë deri në dy. Nxënësit janë pajisur të gjithë me maska. Dezinfektuesit kanë qenë në secilën klasë”.
Bukurije Hoxha, kryetare e Komisionit të Maturës për këtë shkollë tha se mbarëvajtja ka shkuar mirë kuë secilën klasë kanë qenë nga 12 nxënës duke ruajtur distancën.
Hoxha tha se kanë qenë në çdo moment duke monitoruar procesin e testit të maturës si në klasë poashtu edhe në teren.
“Në këtë gjimnaz janë afër 150 nxënës të cilët i janë nënshtruar testit të maturës shtetërore. Organizimi ka qenë i tillë që në secilën klasë kanë qenë nga 12 nxënës duke ruajtur distancën. Poashtu ka qenë e obligueshme që t’i kenë edhe maskat”.
“Gjatë mbarëvajtjes së procesit kemi monitoruar dhe kemi qenë aktiv në teren ne administratorët dhe mbikëqyrësit e provimit. Sa i përket masave në këtë shkollë ku unë jam prezent masat janë përfillur distanca është ruajtur”.
Rreth 26 669 maturantë i janë nënshtruar testit të maturës, i cili është mbajtur të shtunën në Kosovë. Testi i maturës është organizuar në 184 qendra të testimit, në 30 komuna, raporton EO.
Për mbarëvajtjen e procesit thuhet se kanë qenë të angazhuar 2.568 administrues, 570 komisionarë, 570 mbikëqyrës dhe nga 3 mësimdhënës në secilën qendër.
Komisioni shtetëror për testin e maturës, mbarëvajtjen e këtij procesi e ka konsideruar si të suksesshëm.